Vërtet, pse nguten kaq shumë partitë politike dhe politikanët shiptarë në Maqedoni për zgjedhjet lokale të radhës, të cilat parashikohet të mbahen në tetor të këtij viti? 
Përderisa, pushteti i derisotëm në Maqedoni nuk e ka dhënë as provimin e parë të demokracisë, përmes organizimit të zgjedhjeve shumëpartiake, të drejta, të lira dhe demokratike, si kusht i parë për një shtet demokratik dhe ligjor, as nivel të pushtetit qendror, as të pushtetit lokal. 

Kur dihet se në Maqedoni asnjëherë nuk janë organizuar zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, ndërsa këtë e kanë konfirmuar edhe shumë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, siç ka deklaruar edhe diplomati evropian Peter Vanhoutte, i ngarkuar i BE-së për tejkalimin e krizës politike të dy viteve të fundit, se, Maqedonisë i duhen së paku edhe 2 vjet që të sigurojë kornizë të nevojshme ligjore dhe kushte normale për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike (parlamentare, presidenciale dhe lokale). 
Cila është arsyeja logjike dhe praktike për ngutjen e partive politike dhe politikanëve shqiptarë në Maqedoni, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të radhës, të paralajmëruara në muajin tetor të këtij viti, përveç mbetjes edhe më tej, ose ardhjes në pushtet të forcave politike pasuese të po kësaj filozofie retrograde, me qëllim të realizimit të interesave personale dhe grupore, të klaneve politike mafioze dhe kriminale, kur dihet qartë se edhe përmes këtyre zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet me asgjë pozita e shqiptarëve në këtë shtet?  

Kur ende nuk është bërë regjistrimi real i popullisë, (detyrim ndërkombëtar që është dashur të realizohet në vitin 2011), ndërsa institucionet kompetente të shtetit manipulojnë hapur dhe më tej me numrin dhe përqindjen e shqiptarëve dhe të qyteraëve me përkatësi tjetër etnike në Maqedoni, si dhe: 
 

– me korrnizën ligjore ekzistuese, pa parakushte elementare për mbajtje të zgjedhjeve të lira;

– me lista të zgjedhësve, të falsifikuara dhe përplot me votues fiktivë;

– me lista të zgjedhësve, ku qytetarëve të huaj (nga shtetet fqinje) u jepet e drejta e votimit, ndërsa qytetarëve vendës, pa shtetësi dhe me punë të përkohëshme në botën e jashtme, u mohohet kjo e drejtë;

– me manipulime të dëshmuara në listat e zgjedhësve, në të cilat nuk janë përfshirë një numër i madh i qytetarëve shqiptarë, ndërsa shumë qytetarë me përkatësi tjetër etnike janë përfshirë nga disa herë në listat e zgjedhësve, në njësi të ndryshme zgjedhore;

– me njësi zgjedhore numerikisht të pabarabarta, jo një njësi e vetme zgjedhore, siç i përgjigjet realitetit shumetnik në këtë shtet; 

– me ndarje të padrejtë, joefikase dhe jofunksionale të njësive të vetëqeverisjes lokale, komunave dhe njësive të tjera të pushtetit lokal; 

– me pamundësinë për përdorimin e listave të hapura të kandidatëve, me çka votuesve u mohohet e drejta për eliminimin kandidatëve të paaftë, jo profesionistë, të dëshmuar për korrupsion dhe kriminalitet në të kaluarën, edhe pse votuesit i njohin këta kandidatë të imponuar si delet e zeza; 

– me komuna me popullsi joshqiptare, me 3-5 mijë banorë, ndërsa shumica e komunave shqiptare kanë mbi 25-30 mijë banorë;  

– me komuna të rasura në borxhe prej disa milionë euro, si Komuna e Tetovës me së paku 12 milionë euro borxhe (e qeverisur nga shqiptarët nga viti 1991 e deri më sot), të cilat realisht janë të falimentuara, ndërsa partitë politike që i kontrollojnë këto komuna edhe më tej promovojnë kandidatë të dështuar dhe të paaftë, me para të vjedhura nga qytetarët, për dhënien e mandateve të reja kandëdatëve të cilët realisht duhet të japin llogari përpara zgjedhësve për hajnitë, krimet dhe dështimet e derisotme! 
Që të mos krijohet përshtypja tek qytetarët dhe opinioni se jemi të prirur vetëm për vërejtje, mospajtime dhe kritika, pa propozuar asnjë alternativë të re për tejkalimin e kësaj situate, ju paraqesim në vazhdim këtë:
PROPOZIM PËR ORGANIZIMIN DHE ZHVILLIMIN E KOMUNAVE SHQIPTARE NË MAQEDONI
Duke pasur parasysh se partitë politike shqiptare dhe politikanët aktualë, të ndihmuar edhe nga organet e pushtetit, për interesa të tyre afatgjata dhe strategjike, nuk shihet që kanë gatishmëri për ndryshimin e kësaj gjendje, duke shpresuar se do t’i fitojnë edhe zgjedhjet lokale të radhës, përmes blerjes së votave, kushtëzimit të punonjësve të administratës, kërcënimit të qytetarëve përmes metodave të ndryshme, propagandës të orkestruar përmes mediave të pushtetit, të cilat i financojnë dhe i mbajnë nën kontrollin e tyre këto parti politike dhe segmente të caktuara të pushtetit, do të ishte mirë dhe e dobishme që qytetarët të organizohen vetë, duke krijuar Këshilla qytetare (gjithëpërfshirës), në nivel të të gjitha komunave shqiptare, me ndihmën dhe përkrahjen edhe të forcave progresive të disa partive politike ekzistuese (nëse pajtohen me këtë ide), të sektorit joqeveritar, intelektualëve dhe profesionistëve të dëshmuar, me qëllim të përgatitjes dhe organizimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale të suksesshme, me përpjekje për ndyshimin e korrnizave ligjore ekzistuese dhe të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në të ardhmen (sepse ky proces nuk mund të zhvillohet në afat të shkurtë kohor), si dhe për hartimin e planeve dhe startegjisë për organizimin e pushtetit lokal dhe zhvillimin e komunave shqiptare në të ardhmen.
Shqiptarët në Maqedoni, edhe në nivel të pushtetit lokal kanë nevojë për zgjidhje, jo vetëm për zgjedhje! 
Qytetarët duhet të vendosin për fatin dhe të ardhmen e tyre, jo klanet politike të korruptuara dhe kriminale!     
(29.VII.2017)