(Motive nga debati me dy-tre injorantë që flasin shqip, mendojnë djallëzisht dhe punojnë kundër interesave tona)

Abdulla Mehmeti
Jo të gjithë njerëzit që janë lindur dhe jetojnë mes nesh, kanë prejardhje nga viset tona, deklarohen me kombësi shqiptare dhe flasin e shkruajnë në gjuhën shqipe, janë shqiptarë! 

Përkatësinë kombëtare nuk e përcakton emri personal, prejardhja sipas shtetit, krahinës, vendlindjes, familjes dhe fisit, përkatësisë fetare dhe bindjeve të tjera personale, por ndërgjegjja kombëtare që reflekton përmes zinxhirit gjenetik, edukatës dhe vlerave humane.

Nuk është i denjë secili injorant që të zhvilloni debate për çështje të kombit, identitetit, gjuhës, historisë, kulturës, sidomos të besimeve fetare, përderisa dihet që asnjë filozofi, traditë e popujve të qytetëruar dhe besim fetar nuk e lejon urrejtjen, përçarjen, mërrinë, hajninë, terrorin dhe krimet kundër qenieve njerëzore.

Sot, kur haptas provokohen, nxiten debate të ashpra mes shqiptarëve, fyhen dijetarët dhe figurat historike, kërcënohen njerëz të ndërgjegjshëm dhe fisnikë nga injorantët, më tepër për interesa personale dhe miskine se për çështje ekzistenciale të kombit, mos toleroni të futeni në lojën e pistë të këtyre pasuesve të djallit, se ata këto ambicie kanë, për këtë paguhen dhe këtyre qëllimeve të pista u shërbejnë.

Ruajeni ndërgjegjen e pastër, qëllimet fisnike dhe përkushtimin për paqe e drejtësi mes njëri-tjetrit dhe mes njerëzve të tjerë, kudo që të jeni!

Dilni zot me të gjitha mundësitë dhe argumentet, asaj që juve u takon, pa i dëmtuar të tjerët! 

Kurseni fjalët dhe ruajeni nderin e fytyrën tuaj të pastër, se vinë kohë të turbullta, të liga e të mbrapshta, kur djali e vret babanë, vëllai-vëllanë, burri-gruan dhe nëna pjellën e vet, për interesa të vogla që janë kalimtare në këtë botë!

Një herë mbrojeni interesin tuaj personal, sepse ai ju takon vetëm juve, ndërsa tri herë më tepër mbrojeni e interesit e përgjithshëm, të kombit, identitetit, kulturës, historisë dhe gjuhës tuaj, sepse këtë e keni obligim personal e moral, por edhe detyrim ndaj të parëve tuaj dhe brezave që do të vinë pas jush!

Rrini afër, përkrahni dhe ndihmoni njerëzit që e thonë dhe e mbrojnë të vërtetën, që punojnë dhe veprojnë në interes të saj, sepse edhe ju dhe të gjithë përfitoni nga këto vlera!

Ta doni punën, respektoni drejtësinë dhe barazinë mes njerëzve; ta ruani nderin tuaj, të familjes dhe të afërmve, dhe ta forconi me devotshmëri besimin në Zot!

Identifikoni të ligët, hajnat, injorantët, shpifësit, përçarësit, kriminelët, vrasësit, mercenarët, tradhtarët dhe sojin e tyre; leçitni, mos i përkrahni, mos i shoqëroni dhe mos u jepni mundësi të rrinë dhe veprojnë midis jush, përderisa ata ia kanë shitur shpirtin djallit!

Bota zhvillohet përmes kundërthënieve e dallimeve, jo me luftë, përçarje, konfrontime e përplasje, prandaj, dalloni qartë të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, ligësitë nga mirësia dhe fisnikëria!

Mos kini frikë nga askush, nga të ligët, nga djalli dhe ata që i shërbejnë atij! Guximi është pjesë e besimit në Zot!

Mos e ushqeni të keqen dhe ligësitë, mos ia shtoni zjarrin ferrit, por mbillni pemë nga frytet e të cilave do të ushqehen brezat e ardhshëm; dhuroni lule paqeje, mirësie e dashurie, se bota ekziston vetëm për njerëzit e mirë, të drejtë e të devotshëm, jo dhe për pjellën e incestit, krimit dhe kaosit!

Kështu së bashku mund ta shporrim më shpejtë kohën e injorantëve, çakejve dhe hienave! 
(26.VII.2017)