Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë bashkuar sot Adem Mikullovci, Driton Tali, Xhevdet Qerirqi, Xhavit Drenori dhe Avni Tafili. 
Adem Mikullovci është njëri nga aktorët më të shquar shqiptar. Ishte po ashtu  deputet i Kuvendit që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe njihet për konsistencën e tij politike dhe kontributin e shquar për çështjen kombëtare.

Driton Tali është Doktor në fushën e ekonomisë. Ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, ku veproi si i pavarur. Mbahet mend si një ndër deputetët më të angazhuar në gjitha legjislaturat e pasluftës, ku në vazhdimësi ka ngritur zërin dhe ka luftuar kompromiset e dëmshme, krimin e korrupsion qeveritar.

Xhevdet Qeriqi ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht është Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve. Në vazhdimësi ka qenë i angazhuar më përkushtimin më të madh për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

Xhavit Drenori është Doktorant në Shkenca Sociale. Është njëri nga asambleistët më aktivë në Komunën e Drenasit, dhe në zgjedhjet e fundit në këtë komunë ka qenë kandidat i pavarur për Kryetar të Drenasit. Ai ka qenë mjaft i zëshëm në Kuvendin Komunal në interes të qytetarëve dhe vazhdimisht ka denoncuar keqpërdorimet dhe parregullësitë në këtë komunë. 

Avni Tafili ka qenë pjesë e NISMA për Kosovën, të cilën e braktisi pas vendimit të saj për koalicion parazgjedhor me PDK-në. Aktualisht është pjesë e Kuvendit Komunal të Kaçanikut, ku në vazhdimësi ka problematizuar çështje në interes të qytetarëve të kësaj komune.


Ademi Mikullovci Driton Tali, Xhevdet Qeriqi, Xhavit Drenori dhe Avni Tafili do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 11 qershorit. Angazhimi ynë i përbashkët kundër kapjes së shtetit dhe për çlirimin e tij, do ta marrë mbështetjen e fuqishme të qytetarëve me 11 qershor. Me konsistencën tonë politike në qëndrimet dhe veprimet tona, tashmë është e qartë se jemi të vetmit që mundësojmë transformimin e Republikës, duke luftuar krimin e duke sjellë progres shoqëror. Ndryshimi është afër!