Mbrëmjen e djeshme të shtëna me armë zjarri tronditën qytetin e Fierit.

Nga të dhënat një person i identifikuar si Arbër Jakupi 32 vjeç, mbeti i plagosur, i cili u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën.

Sot policia e Fierit zbardh gjithë ngjarjen duke shpallur në kërkim autorët.

Mësohet se pas një sherri për motive të dobëta me dy djemtë e xhaxhait, 32 vjeçari u qëllua me thikë.

“Dyshohet se shtetasi A.J, pasi është konfliktuar fizikisht në një lokal për motive të dobëta me shtetasit E.H.M, 25 vjeç dhe E.D.M, 25 vjeç, të dy banues në Patos (djem xhaxhallarësh), është qëlluar me thikë nga shtetasi E.H.M.

Gjithashtu njëri prej autorëve ka qëlluar edhe me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A.J, por nuk ka pasur plagë të shkaktuara nga arma”, njoftojnë blutë e Fierit.

Policia po punon intensivisht për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 76/22/25 dhe 278/2 të Kodit Penal.