Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sot në konferencë për shtyp deklaroi se partia e tyre ka dilema shumë të mëdha, nëse do të votojnë “për” ose “kundër” në fazën e tretë të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me Marrëveshjen e Prespës.

“Kemi sinqerisht dilema të mëdha se si do të votojmë në lidhje me ndryshimet kushtetuese, këtu punohet për dy çështje të cilat janë njësoj të rëndësishme për shqiptarët – edhe inkuadrimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, por mos i harrojmë se shumë i rëndësishëm për ne është edhe statusi i shqiptarëve, andaj kemi dilema shumë shumë të mëdha, të cilat do t’i vendosin organet partiake”, tha Taravari.

Ai rikonfirmoi se Aleanca për shqiptarët do t’i përsëritë amendamentet, të cilat nuk janë pranuar nga pushteti.

“Aleanca për Shqiptarët ka dhënë amendamente, një pjesë e njërit amendament është pranuar, në propozimet që do të ndodhin në Parlament më 9 dhe 10 janar të vitit të ardhshëm, ne përsëri do t’i përsërisim amendamentet tona edhe një herë”, shtoi Taravari.