Mbetet pezull çështja e hetimeve nga ana e Prokurorisë Publike për rastin e keqtrajtimit të 13 vjeçares në Qendrën e kujdesit “25 Maji”.

Nga ky institucion, shkurt thonë se rasti është në procedurë hetimi. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, deklaroi ditë më parë se janë ngritur 12 padi penale dhe 12 kundërvajtëse disciplinore ndaj personave përgjegjës që kanë të bëjnë me rastin.

Socilogu Ali Pajaziti vlerëson se të gjithë fëmijët që ndodhen nëpër institucione të tilla të përkujdesit janë nën rrezikun e abuzimit.

“Rastet e përdhunimeve të të miturve paraqesin çështje që kanë të bëjnë me dimensionin etik të një shoqërie pra me persona të cilët duhet në fakt të përkujdesen që t’i përgatisin, që t’i edukojnë këtë kategori sociale të margjinalizuar, kategori sociale me probleme në ndërtimin dhe kapjen e ritmit të jetës dhe në fakt ndodh e kundërta. Dëmi është shumë i madh, dëmi është edhe psikologjik për atë person pra, për një vajzë 13 vjecare e cila e ka shumë vështirë që të rikuperohet. Kur dëgjojmë për raste të këtilla neve na kap një defetizëm social se në dorë të kujt ne po i dorëzojmë fëmijët” – shpjegon sociologu Ali Pajaziti.

Sociologët vlerësojnë se këto raste duhet të shfaqen në mënyrë masive nëpër media, në mënyrë që qytetarët të vetëdijësohen rreth këtyre problemeve dhe të jenë më të kujdesshëm në raport me fëmijët e tyre.

“Sipas meje kjo duhet të mediatizohet, kjo është një masë të themi sekondare, e rëndësishme që qytetari të vetëdijësohet dhe prindërit të kenë kontakte më të shpeshta me fëmijët e tyre” – shton sociologu Ali Pajaziti.

Rasti i 25 Majit ku 13 vjeçarja për shkak të shtatzënisë së hershme iu nënshtrua abortit, u shfaq në opinion nga Organizata joqeveritare për të drejtat e romëve. Në qendrën për strehimin e fëmijëve me problem educativo-sociale “25 Maji” në Shkup qëndrojnë gjithsej 44 fëmijë./Alsat