SMS porosi të reja që u publikuan në gjykimin e 27 Prillit, edhe më tej dëshmojnë se ngjarja e përgjakshme ka qenë e planifikuar në detaje, më shumë se një muaj më parë. Nga ekspertiza e celularit të dëshmitarit Sashko Kocevski, i punësuar në parlament, duket se atij vazhdimisht i kanë dërguar mesazhe me rikujtim për organizimin e 27 prillit, më shumë se një muaj më parë, dhe i kishin shkruar edhe më 27 prill, si anëtar i VMRO DPMNE-së. Shumicën e mesazheve Kocevskit ia ka dërguar një grua me emrin Vesna Gergovska e cila e ka thirrur edhe për protestat e përditshme para Parlamentit.

Mesazhe nga Vesna Gergovska për Sashko Kocevskin

“Të gjithë të jeni gati. Zaevi do mbajka press”

“I lus të gjithë personat përgjegjës për raste emergjente dhe të tjerët, që të jenë në gjendje gatishmërie. Në çdo moment mund tu jepen direktiva”

“Të gjithë anëtarët të jeni para Parlamentit. Tani është momenti. Ejani të gjithë”

Gergovska i ka shkruar çdo ditë mesazhe Kocevskit duke e thirrur për protestat kundër Platformës së Tiranës, për të kërkuar zgjedhje të reja, kur VMRO-ja nuk e jepte pushtetit dhe kur nuk lejohej funksionimi i shumicës së re parlamentare në krye me LSDM-në.

Kur Kocevski pati dëshmuar në sallën e gjykatës, ai pati thënë se atë dhe shokët e tij i kishin detyruar të punojnë si ushtri, duke u dhënë direktiva për protestat dhe për 27 prillin.

Ekspertiza e djeshme e celularit të deputetit të VMRO-së, Kërsto Mukoski, i akuzuar për 27 prillin, tregoi koordinimin që e ka pasur me ish kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski dhe me Mile Janakieskin për të përgatitur skenarin e përgjakshëm të 27 prillit.Koordinimi ishte bërë nëpërmjet një grupi në viber ku bënin pjesë edhe shumë funksionarë të VMRO-së, përfshirë këtu një Alim kolegu që e kishte të regjistruar në celular Kërsto Mukoski. Në grup në viber shkruan edhe një numër i shënuar si “Kolegia nga Çairi” që e kërkon ta merr përsipër rrahjen e Radmilla Shekerinskës. Kjo kolege nga Çairi shkruan edhe që të hapen dyert e përparme të Kuvendit që të hyjë turma e protestuesve.