Cikli menstrual nuk është thjesht një proces biologjik, por edhe një nga shenjat më të dukshme të mirëfunksionimit të organizmit femëror. Me cikël të rregullt menstrual nënkuptojmë një cikël që vjen në mënyrë të rregullt periodike një herë në 21 ditë, një herë në 28 ditë ose një herë në 32 ditë. Sigurisht që ditët para dhe gjatë ciklit menstrual nuk janë më të mirat e mundshme pasi shoqërohen me një sërë ndryshimesh si pasojë e çbalancimit hormonal si për shembull si luhatje humori, shtim i oreksit etj. Por, një prej gjërave që me siguri shumë vajza e gra ”urrejnë” janë dhimbjet premenstruale. Në qoftë se mendoni se ilaçet qetësuese janë zgjidhja më e mirë, me siguri nuk keni provuar tre këshillat e mëposhtme:

1.Shtoni sasinë e kaliumit dhe kalciumit: Përveç dhimbjeve të vazhdueshme, kryesisht në ditët e para të periodave, një tjetër shenjë karakteristike e tyre është edhe fryrja e barkut. Për të larguar këtë ndjesi, mundohuni të hani lehtë dhe në mënyrë të ekuilibruar duke shtuar në regjimin tuaj ushqime të pasura me kalium si (avokado, banane, patate, mish pule) dhe ushqime të pasura me kalcium si: sardelet, nënproduktet e qumështit, djathin e sojës dhe spinaqin.
2.Praktikoni teknikën e masazhimit në pika të caktuara të trupit: Acupressure është një ndër metodat më efektive të mjekësisë tradicionale kineze e cila bazohet në lehtësimin e dhimbjeve të caktuara nëpërmjet masazhimit. Filloni të masazhoni lehtë fundin e barkut, poshtë kërthizës me gishtin e madh. Këtë masazh vazhdojeni deri tek fillimi i këmbës. Nëse ju dhemb edhe kurrizi bëni masazh edhe tek shtylla kurrizore dhe tek muskujt e mesit.
3.Bëni herë pas herë banjo me ujë të ngrohtë: Ata që kanë vaskë në shtëpi mund të përfitojnë nga kjo gjë dhe të bëjnë gjysmë ore banjë me ujë të ngrohtë. Temperatura e lartë e ujit do të çlodhë muskujt dhe do e bëjë më të hollë gjakun menstrual. Ato që nuk kanë vaskë le të mjaftohen me ndonjë borsë të ngrohtë tek pjesa e barkut.