Tensioni i lartë i gjakut është një prej problemeve më të mëdha të njerëzve në mbarë botën. Ky çrregullim mund të çojë në dëmtimin serioz të zemrës dhe të rriten gjasat për sëmundjet tjera që kanë lidhje me qarkullimin e gjakut.

Duke qenë se rreth 1 miliard njerëz e kanë këtë problem, gjithnjë e më shumë kërkohen mundësi për të reduktuar këtë sëmundje. Disa mënyrat se si ta arrini më lehtë rregullimin e tensionit të gjakut i kemi renditur më poshtë.

Ecni dhe ushtroni rregullisht

“Zemra është e ndërtuar për të punuar”. Këtë këshillë e dëgjojmë shpesh nga mjekët, prandaj bëni ç’është e mundur që të ecni sa më shumë dhe të ushtroni çdo ditë. 150 minuta ecje ose 75 minuta vrapim ju mjaftojnë që të parandaloni tensionin e lartë të gjakut.

Hani sa më pak kripë

Në tërë botën njerëzit hanë shumë kripë, sidomos për shkak të ushqimeve të proceduara si ushqimi i shpejtë. Kripa është e lidhur ngushtë me dëmtimet e zemrës dhe tensionin e gjakut. Prandaj, kujdesuni që ta ulni dozën e kripës në secilin ushqim që hani.

Pini më pak alkool

Moskonsumimi i alkoolit e ulë tensionin e gjakut. Alkooli shkakton 16 % të rasteve të sëmundjeve me tension të lartë të gjakut. Por, nëse pini vetëm një pije me alkool në ditë, në fakt kjo mund t’ju bëjë mirë, por assesi mos e teproni.

Konsumoni më pak kafeinë

Kafeina rrit me efekt të menjëhershëm qarkullimin e gjakut. Prandaj, nëse e keni tensionin e gjakut lartë, pini më pak pije që kanë kafeinë, si kafe apo lëngje të gazuara dhe energjike.

Humbni peshë

Nëse keni peshë të tepërt, humbja e peshës mund ta përmirësojë dukshëm shëndetin e zemrës. Natyrisht që humbja e peshës mund të bëhet edhe pa ushtrime, por nëse e arrini përmes vrapimit, efektet do të jenë shumë më të mira.