Ministria e Inovacionit dhe Ndërtimtarisë ka mbajtur konferencën e parë ndërkombëtare, “Digitalks” për të diskutuar për zhvillimin e ekonomisë digjitale në vend dhe rëndësinë e aftësimit të rinisë kosovare në këtë fushë.

Në këtë konferencë morën pjesë ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, zëvëndëskryeministri, Enver Hoxhaj dhe komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Marya Gabriel, njofton Klan Kosova

Beqaj ka thënë se Ministria e Inovacionit po shënon ndryshimin e kursit për zhvillime ekonomike në vend dhe se janë duke bërë hapa konkretë për zhvillimin e teknologjisë dhe shtrirjen e ekonomisë digjitale.

“Kemi nevojë të ndryshojmë konceptin ekonomik dhe kjo bëhet përmes gjeneratave të reja qe i kemi. Ekonomia digjitale po rritet 7 herë më shumë se llojet tjera të ekonomisë. 90% e vendeve të punës me 2020 do të kërkojnë të paktën njohuri bazike në teknologji informative. Prandaj, është e rëndësishme që rininë tonë ta mbajmë në Kosovë”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa Veseli shtoi se këtë mandat e kanë krijuar Ministrinë e Inovaciont me qëllimin e zhvillimit të ekonomive moderne dhe zhvillimeve teknologjike.

“Teknologjia informative sot është parameter themelor që përcakton zhvillimin ekonomik të një vendi dhe ne duhet ta kapim këtë ritëm. Ne duhet ta aftësojmë rininë,ta pergatisim për të qenë aktive për trendet bashkëkohore të zhvillimit ekonomik. Kështu që ne këtë mënyrë të rinjtë tanë nuk duhet të jenë vetëm punekërkues por edhe punëkrijues”.

Ndërkaq, Hoxhaj tha se duhet shfrytëzuar i gjithë potenciali i të rinjve të Kosovës.

“Jemi populli me demografinë më të re në Evropë dhe këtë duhet ta shndërrojmë në potencial për zhvillim ekonomik. Ulja e tarifës së Roamingut i mundëson Kosovës qasje sa më të madhe në informata dhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik. Nga shtetndërtimi duhet të kalojmë në ndërtimin e një shoqerie të re dhe kjo bëhet përmes ekonomisë digjitale”.

Zëvëndëskryeministri i dërgoi edhe një porosi BE-së duke thënë se Inovacioni më i mirë që BE mund të sjellë në Kosovë është liberalizimi i vizave.

Ndërsa, komisionerja e BE-së tha se duhet përgatitur që qytetarët të kenë aftësitë e duhura për këtë fushë.

“Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor synon të çlirojë potencialin digjital për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm. Duhet të kemi përkushtim që qytetaret të kanë shkathtësitë e duhura për zhvillim ekonomik. Modernizimi i administratës publike rrit transparencën në vend”, ka thënë Gabriel.

Konferenca dy ditore ka filluar më 11 tetor dhe përfundon me 12 tetor në orën 17:00.