Grindja mes BE-së dhe Hungarisë për ligjin e ri për arsimin e lartë ka hyrë në një kategori të re. BE-ja nis procesin. Kryeministri Orban paraqiti në Bruksel pozicionet e tij dhe nënqeshi.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban nuk është aspak burracak. Ai u përball sërish me Parlamentin Europian lidhur me qortimet e Komisionit të BE-së për një sërë ligjesh të diskutueshme. “Unë dhe të gjithë hungarezët i preferojmë fjalët e qarta, edhe nëse ato nuk i pëlqejnë ndokujt”, tha Orban përpara sallës plenare relativisht të zbrazur të Parlamentit Europian në Strazburg. “Një hungarez nuk heq dorë asnjëherë nga lufta”, tha duke nënqeshur kryeministri nacionalkonservator.

Nënkryetari i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans e pati akuzuar më parë ashpër, por me ton të qetë, qeverinë hungareze, se po e gërryen demokracisë në vendin e tij. Përpjekja, për ta mbyllur “Central European University” (CEU), që është themeluar nga manjati i financave hungarezo-amerikani George Soros, është e gabuar, tha ai. Duke shtuar, se shkenca e lirë dhe angazhimi i shoqërisë civile janë indet e çdo demokracie. Ligji i ri për arsimin e lartë tani po verifikohet nga Komisioni i BE-së në një proces formal, po ashtu si edhe ligji i ri për procesin e azilit, që parashikon internimin e azilkërkuesve. “Unë kam dyshimet e mia serioze, nëse e gjitha kjo përputhet me të drejtën europiane”, tha Frans Timmermans.

“A do të ndalet Brukseli?”

Më së shumti nënkryetari i Komisionit të BE-së, që është përgjegjës për çështjet e shtetit ligjor, shqetësohet për anketimin zyrtar të të gjithë qytetarëve në Hungari. Në pyetësorin e dërguar nga qeveria e Orbanit me titullin “ndaleni Brukselin!” përmes pyetjeve sugjestive krijohet atmosferë kundër gjoja diktatit të BE-së lidhur me çështje të tatimeve, politikën ndaj refugjatëve dhe çështjes së energjisë.

Belgien-EU Vize-Präsident der EU-Kommission Frans Timmerman (Getty Images/AFP/E. Dunand)Frans Timmermans

“Nuk është ‘Brukseli’, që vendos në BE”, i tërhoqi vëmendjen Timmermans kryeministri hungarez, i cili me një vështrim të ngurtë, ndonjëherë dëgjonte përkthimin përmes kufjeve duke zbardhur dhëmbët. “Janë vendet anëtare, duke përfshirë edhe Hungarinë, që marrin vendime në BE.” Për diktat as që bëhet fjalë. Askush nuk e detyron Hungarinë të pranojë migrantë ilegalë, bëhet fjalë për azilkërkues legjitimë, të cilët duhet të shpërndahen në vendet e BE-së, vuri në dukje Timmermans. Edhe në politikën tatimore Hungaria është sovrane, ashtu si edhe të gjitha vendet e tjera anëtare, shtoi ai duke tërhequr vëmendjen, se Hungaria vet ka vendosur një TVSH prej 27%, më të lartën në BE, e këtë nuk e ka vendosur Brukseli.

Orban tregohet i prerë

Victor Orban nuk i pranoi në heshtje këto akuza, por kundërsulmoi. “Unë këtu mbroj vendin tim”, tha ai. George Soros, që është kundër monedhës Euro, ka rrënuar përmes bizneseve spekulative financiare mijëra jetë në Europën Lindore. Përveç kësaj në ligjin e ri për arsimin e lartë nuk bëhet fjalë vetëm për “Central European University”. Të prekur janë 22 universitete private, që në fakt duhet t’i nënshtrohen të njëjtit standard, që duhet të plotësojnë edhe universitetet e tjera.

Vetë rektori i “Central European University” u ka shkruar studentëve, që universiteti i tyre nuk kërcënohet nga mbyllja, citoi Orban një e-mail të rektorit. Orban, që qeveris qysh nga viti 2010 në Hungari përsëriti, se është plotësisht për BE-në. Por ai dëshiron një union të reformuar. “Ne jemi të pakënaqur me mënyrën si punohet.” Megjithatë, theksoi ai, ai e ka nënshkruar me gjithë zemër në fund të marsit deklaratën e Romës për të ardhmen e përbashkët të BE-së.

Pyetësori me titullin “Ndaleni Brukselin”, sipas tij, është i nevojshëm, sepse ai do të mësojë, se çfarë mendojnë njerëzit për BE-në. Ai i përmbahet vendimit, se Hungaria nuk do dhe nuk do të pranojë migrantë. Për këtë nuk do të lejojë që ta urdhërojnë. Megjithatë BE-ja më 2015 vendosi, që azilkërkuesit nga Greqia dhe Italia duhet të transferohen në vende të tjera të BE-së. Edhe Hungaria duhet të pranojë sipas ligjeve rreth 1000 migrantë.

Qeveria Orban ka ngritur padi kundër këtij vendimi pranë Gjykatës Europiane. Ndërsa Orbani e merr me qetësi procesin zyrtar të verifikimit, që ka nisur Komisioni i BE-së. Edhe në vitin 2011 Komisioni i vuri në shënjestër ligjet hungareze për mediet dhe reformën e gjykatës kushtetuese. Por kjo grindje u mbyll me një kompromis.