Pranvera dhe vera sjellin mot të ngrohtë me diell, por poashtu paralajmërojnë ardhjen e mizave të bezdisshme të cilat vazhdimisht përpiqen që të bien në ushqimin tuaj.

Shumë njerëz mendojnë se kjo është vetëm një bezdi e vogël, por mizat janë plot me baktere që përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin tuaj. Jo vetëm kjo, mizat pothuajse gjithmonë do të vjellin në ushqimin tuaj kur të bien në të!

Mizat mesatarisht bartin më shumë se 200 forma të baktereve të dëmshme për shkak të gjërave johigjienike në të cilat ulen shpesh, të tilla si ushqimi i prishur dhe materiet fekale, shkruan Daily Mail.

“Sapo të prekin ushqimin, qoftë vetëm për një sekondë, me mijëra qime të vogla në këmbët e tyre, lëshojnë mikrobet dhe bakteret nga të gjitha gjërat e pista që ato hanë”, thotë entomologu Ron Harrison.

“Duke pasur parasysh që mizat mund të transmetojnë sëmundje të rënda infektive të tilla si kolera, dizenteria dhe tifoja, ndoshta është më mirë që mos të hani ushqimin në të cilin ato kanë rënë”, ka thënë Dr. Harrison.