XHEVDET HAJREDINI

Ajo që ngjanë në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Maqedoni, është e papritur, si nga aspekti politik, poashtu, veçanërisht, edhe nga aspekti moral. Kjo vlen si për sjelljen e partive poashtu edhe të vet kandidatëve.

Po të mbaheshin këto zgjedhje në kohën e caktuar me ligj, afërsisht para gjashtë muajve, disa nga kryetarët të cilët morën guximin të kandidohen edhe për të dytën ose edhe për të tretën herë, nuk do të ishin në gjendje të përfundojnë asnjë projekt të premtuar para dhe në fillim të mandatit paraprak. Ky konstatim vlen posaçërisht për kryetaren e komunës së Tetovës. Sikur të mbaheshin zgjedhjet në kohë, qytetarët e Tetovës do ti gjente me maska për mbrojtje nga helmimi i gazit që ngrihej në ajër nga djegia e mbeturinave të deponisë e cila gjendet në afërsi të qytetit, pranë fabrikës së bukës. Në qoftë se ky problem me të vërtetë është zgjidh definitivisht brenda dy tre ditëve, kjo zonjë, në vend se të lavdërohet duhet të merret në përgjegjësi pse deponia nuk është zhvendosur gjatë katër vjetëve të kaluar. Përveç kësaj, njohësit e kësaj çështje pohojnë se edhe kjo zgjidhje nuk është e përhershme, por shërben vetëm në fushatën parazgjedhore për ta fituar edhe mandatin e ardhshëm.

Përrallë e veçantë është historia e ndërtimit të ujësjellësit të Tetovës. Që absurdi të jetë edhe më i madh, si duket, kryetarja aktuale këto ditë do përpiqet mbarimin e punimeve ta prezantojë si suksesin e vet. Kjo na ngjanë si ajo e thëna e një populli “me çka është krenuar dhia është turpëruar delja”. Dihet se ujësjellësi ka filluar të ndërtohet para plot 16 vjetëve. Kryetarja aktuale në fillim të mandatit publikisht deklaroi se që nga fillimi i ndërtimit të ujësjellësit ka pas edhe abuzime dhe këtë deklaratë e ka përsëritë edhe më vonë, por, e pavetëdijshme për peshën e fjalës dhe përgjegjësisë ligjore, ajo, deri tash, nuk ka denoncuar askënd. Është e njohur se kush gjatë kësaj kohe kanë qenë në postin e kryetarit dhe kompanitë që kanë marrë pjesë në ndërtim. Edhe me ndërtimin e ujësjellësit, përsëri nuk zgjidhet furnizimi i rregullt i qytetit me ujë, deri sa nuk riparohet edhe rrjeti i sistemit të vjetër të shpërndarjes së ujit. Ngel të shpresojnë qytetarët se edhe realizimi i këtij projekti nuk do të zgjasë sa ndërtimi i ujësjellësit dhe nuk do të shoqërohet edhe me abuzime për të cilat dëshmitare është edhe vet kryetarja aktuale.

Premtimi i Teuta Arifit i dhënë në fillim të mandatit se do ta gjelbërojë Tetovën, jo vetëm që nuk u realizua, përkundrazi, edhe ato pak sipërfaqe të lira që i trashëgoi, gjatë këtyre viteve i mbuloi me beton.

U bë kjo duke ndërhyrë çdo ditë në planin urbanistik sipas kërkesave dhe interesit të mafies urbane lokale. Nuk është rëndë të supozohet se si dhe pse përputhen interesat e pushtetarëve lokal dhe investitorëve privat. Korrupsioni në lëminë e urbanizmit i pasuron funksionarët në pushtet si në nivel lokal, gjithashtu edhe në nivel qendror, kurse pasojat për popullin janë të papërmirësueshme dhe afatgjate.

Nuk kam njohuri për komunat tjera por komuna e Tetovës nuk ka, jo pa qëllim, institucion i cili i ekzekuton vendimet e gjyqeve dhe inspekcioneve urbanistike. Kjo gjendje nuk është e rastit as e paqëllimtë. Në këtë situatë lulëzojnë ndërtimet pa leje dhe korrupsioni i zyrtarëve në komunë. Alarmante, veçanërisht, kohëve të fundit, është bërë situata në rajonin e kodrës së diellit. Me të madhe lëshohen leje për ndërtim të cilat nuk kanë bazë ligjore dhe pa u siguruar kushtet për furnizim me rrymë dhe ujë, kudo uzurpohet toka shtetërore, rrethohen me mure oborret jashtë planit urbanistik, i cili si duket as që është në fuqi.

Është interesant të theksohet se inspeksioni urbanistik komunal, i cili udhëhiqet nga kuadro të partive maqedonase, ka marrë vendime për prishjen e të gjithë objekteve që janë ndërtuar pa leje, kurse kryetarja e komunës nuk lejon këto vendime të zbatohen, me çka i shkel edhe ligjet në fuqi.

Në këto rrethana duket e çuditshme ndërhyrja në mënyrë të vrazhdë në fushatën parazgjedhore këtu te ne e udhëheqësisë së Shqipërisë, duke e favorizuar kandidaten për kryetar të komunës së Tetovës Teuta Arifin. Në këtë mënyrë ata i shkelin normat dhe standardet elementare, politike dhe morale. Qytetarët e Tetovës deri sot nuk e kanë ditë se Teuta Arifi na paska qenë “prijëse e proceseve progresive dhe partnere e dëshmuar e perëndimit dhe Shqipërisë”, ashtu si që e ka zbuluar Edi Rama dhe me këtë, si duket, pajtohen edhe Ilir Meta dhe Erion Veliaj. Në qoftë se kjo zonjë i ka këto cilësi atëherë do të ishte më mirë ta marrin atje në Shqipëri që të ju ndihmojë në luftën kundër katër familjeve mafioze të cilat udhëheqin me shtetin shqiptar, me çka njëkohësisht do ti shpëtonin prej saj edhe qytetarët e Tetovës. Shumë më mirë do të ishte Ilir Meta ti sheh punët e veta, për shkak se edhe ai ka përgjegjësi që Shqipëria vazhdon të shndërrohet e tëra në “Lazarat”, për çka përgjegjës është edhe Ilir Meta ashtu siç mendon edhe kryetarja e Lidhjes Socialiste për Integrim, sesa të humb kohë me nderime më të larta ta pret në takim Teuta Arifin duke i nëncmuar, indirekt kandidatët e partive tjera shqiptare në Maqedoni. Turp!

Mënyra se si vepron Zoran Zaevi muajve të fundit dhe veçanërisht tash në fushatën parazgjedhore për ne shqiptarët është dëshpëruese dhe për çdo kritikë. Ai nuk duhet ta harrojë faktin se Ali Ahmetin nga Gruevski e ka shkëput BE-ja, Amerika, Gjermania, Anglia dhe Franca, përndryshe s’kishte fuqi tjetër që e bënte këtë. Ai do vazhdonte edhe shumë kohë gjithanshëm dhe thellë te analizojë, të kërkojë dhe të konsultojë për të marrë vendime.

Zaevi nuk duhet ta harrojë se VMRO-ja me ndihmën e doktorit të shkencave Subhi Jakupit të Ali Ahmetit, bëri 51 deputet dhe se me ndihmën e shqiptarëve të cilët donin të shpëtonin nga kriminelët e VMRO-së dhe BDI-se, LSDM-ja i bëri 49 deputetë.

Vepruan kështu një numër i madh i shqiptarëve duke besuar në fjalët e Zoran Zaevit se kur do ta mer pushtetin, para gjyqit do të dalin të gjithë ata të cilët gjatë 10 vjetëve e robëruan shtetin, i vodhën paratë e popullit dhe deri në fyt u zhytën në krim.

Është absurde të mendohet se krimet e kuadrove të VMRO-së, që po zbulohen muajve të fundit, janë kryer pa dijen dhe bashkëpunimin me kuadrot e BDI-së. Çka kanë punuar zëvendësit, ndihmësit dhe bashkëpunëtorët tjerë të Jankullovskës, Janakieskit, Cavkovit, Mijallkovit e gjithë të tjerëve të cilët jo vetëm të mos përgjigjen por edhe të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat poste. Jo pa shkak ata u tmerruan kur i dëgjuan “bombat” e para të Zaevit. Ali Ahmeti kurrë nuk do ta nënshkruante marrëveshjen e Përzhinos sikur me të të mos ndalohej publikimi i mëtejmë i “bombave”. Shkuan deri atje saqë të përpiqen publikimi i tyre të ndalohet edhe në botën e jashtme. Nuk e dinin të gjorët, as sot e dijnë, se ligjet e një shteti nuk vlejnë në shtetet tjera.

Me sukses Zoran Zaevi e pastron oborrin e vet nga deponia e mbeturinave, por me paraqitjen e vet nëpër tubimet e fushatës parazgjedhore të BDI-së, pa marë parasysh a don, apo nuk don, i mbron dhe si duket edhe në të ardhmen do ti mbrojë nga përgjegjësia ligjore për krimet që i kanë bërë bashkë me ata të VMRO-së. Për përgjegjësi morale atyre as që iu bëhet vone.

Është simptomatike se si dalë ngadalë aspak nuk përmendet rekomandimi i komisionit të Venecias se duhet të bëhen publike të gjithë përgjimet, duke i përfshirë edhe ata private në qoftë se e prekin interesin publik. E dinë mirë ata që kanë qenë në pushtet deri tash, se publikimi i tyre don te thotë vdekje e tyre politike.