Nga Abdulla Mehmeti

,,Unë udhëheq partinë që është në koalicion me 25 parti të vogla në Maqedoni, një koalicion parazgjedhor shumetnik, i vazhdueshëm dhe kështu ka qenë për një kohë të gjatë në vendin tonë.”  (Nga një intervistë e liderit të OBRM-PDUKM, më 30 janar 2017)

Pranimi i realitetit shumetnik e eviton krizën politike dhe i çon përpara proceset demokratike në Maqedoni

Koalicionet parazgjedhore të partive politike joshqiptare, të udhëhequra nga dy koalicionet kryesore, OBRM-PDUKM dhe LSDM në Maqedoni, politikanë shqiptarë, analistët dhe mediumet në gjuhën shqipe në Maqedoni, si para opinionit vendës edhe para faktorit ndërkombëtar, nuk duhet t’i paraqesin si koalicione të partive politike maqedonase, por si koalicione parazgjedhore shumetnike, sepse vetëm kështu paraqitet realiteti shumetnik i këtij shteti dhe kjo ka rëndësi të veçantë në politikë, për vetë faktin se subjektet politike të këtyre bashkësive etnike pakicë, siç janë serbët, turqit, romët, vllehët, boshnjakët dhe disa grupe më të vogla etnike, pa përmendur me këtë rast bashkësinë etnike bullgare të cilës ende nuk i njihet ky status, këtyre dy koalicioneve partiake në të gjitha ciklet zgjedhore u kanë siguruar afër 20 % të votave të përgjithshme dhe po aq mandate deputetësh në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.

Me paraqitjen e këtij realiteti duhet të dëshmohet mosrespektimi i peshës së votës së lirë të qytetarëve të këtij vendi, moszbatimi i parimeve demokratike, falsifikimi i vazhdueshëm i zgjedhjeve, diskriminimi i qytetarëve në baza etnike përmes proceseve zgjedhore dhe niveli i manipulimit perfid me të drejtat dhe liritë e qytetarëve në këtë shtet, edhe me ndihmën e udhëheqësve të subjekteve politike të këtyre bashkësive etnike, për të cilët pushteti paraprakisht garanton të drejta dhe privilegje të veçanta individuale.

Votuesit me përkatësi etnike jomaqedonase përbëjnë afër gjysmën e trupit të përgjithshëm votues në Maqedoni

Nga votuesit pjesëtarë të bashkësive etnike pakicë, koalicionet e partive politike më të mëdha, OBRM-PDUKM dhe LSDM, sigurojnë numër shumë më të madh votash në krahasim me numrin e deputetëve nga radhët e këtyre bashkësive etnike pakicë, të cilët fitojnë mandate në Parlamentin e Maqedonisë përmes këtyre dy koalicioneve partiake të udhëhequra nga partitë më të mëdha politike maqedonase.

Në të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni, nga viti 1990 e deri më sot, si në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale, në koalicionet e partive politike maqedonase kanë marrë pjesë edhe një numër i madh i subjekteve politike të bashkësive etnike pakicë, përveç subjekteve politike të shqiptarëve, të cilat janë manipuluar në forma të tjera tepër perfide, me çka asnjëherë numri i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë nuk e ka reflektuar as përqindjen zyrtare të popullit shqiptar në këtë shtet, jo më përqindjen reale të tyre. Për ta pasur të qartë këtë realitet të hidhur, po ripërsëritim se Parlamentin e Maqedonisë e përbëjnë gjithsej 120 deputetë, që domethënë se shqiptarët asnjëherë nuk është dashur të kenë më pak se 30 deputetë, ose 25% të numrit të përgjithshëm, në bazë të përqindjes së popullsisë shqiptare sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimet e falsifikuara të popullsisë në këtë shtet!

Fitimi i vetëm 20 mandateve të deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, i delegjitimon pa mëdyshje të gjitha subjektet politike të shqiptarëve, pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, në bazë të rezultateve të fituara nga këto zgjedhje.

Djegia e 70 mijë votave të shqiptarëve për dy mandate deputetësh është absurde dhe e papranueshme

Në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, kjo taktikë u zbatua me shumë dinakëri edhe ndaj popullatës shqiptare, për herë të parë nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990, e cila për koalicionin e partive politike të udhëhequr nga LSDM arriti të sigurojë afër 70 mijë vota nga qytetarët me përkatësi etnike shqiptare, ndërsa atyre u siguroi vetëm 2 mandate deputetësh në Parlamentin e Maqedonisë.

Për mungesë të numrit të përafërt të votave, afër 70 mijë, sa ka marrë koalicioni i LSDM, pa e llogaritur numrin e votave nga shqiptarët që kanë votuar për koalicioni tjetër të partive politike joshqiptare, të udhëhequr nga OBRM-PDUKM, nga votuesit shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 dhjetorit 2016, në krahasim me zgjedhjet parlamentare paraprake të vitit 2014, vetëm subjekti politik më i madh i shqiptarëve në disa cikle zgjedhore të fundit, në këto zgjedhje ka humbur së paku 9 mandate deputetësh!

Ky është vetëm një shembull konkret përmes së cilit mund të vlerësohet se cili është niveli i manipulimit me votat edhe të qytetarëve me përkatësi etnike turke, serbe, rome, vllahe, boshnjake etj.

Pa falsifikimin e zgjedhjeve partitë maqedonase nuk mund të sigurojmë më tepër se gjysmën e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë

Nëse organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike në Maqedoni, e jo të manipuluara si deri më sot, në bazë të standardeve ndërkombëtare, me ligje jodiskriminuese dhe procedura zgjedhore pa manipulime nga organet e pushtetit, në asnjë rast nuk do të kishte mundësi që bashkësia etnike maqedonase, si e veçantë, të siguronte më tepër se gjysmën e deputetëve në parlamentin e këtij shteti. Ndërsa realiteti aktual, sidomos nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 dhjetorit, është treguesi më i mirë i këtij manipulimi perfid, për fatkeqësinë e qytetarëve të këtij vendi, i realizuar nga organet e pushtetit me ndihmën edhe të udhëheqësve të subjekteve politike të bashkësive etnike pakicë, si dhe të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Nga kjo përgjegjësi nuk mund të amnistohen as subjektet politike parlamentare, as ato jashtëparlamentare të shqiptarëve, përderisa kanë qenë pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, kanë pranuar zgjedhje në kushtet që paraprakisht ua paracaktojnë këtë humbje shqiptarëve, si dhe i kanë pranuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve pa vërejtje substanciale për parregullsinë e tyre, me të vetmin qëllim sa për t’u bërë pjesë e pushtetit, i cili në vazhdimësi i diskriminon shqiptarët edhe përmes zgjedhjeve, si në të gjitha sferat e jetës.