Përderisa qarqe të caktuara politike në Maqedoni, përmes disa partive politike, sidomos të OBRM-PDUKM, përveç veprimeve të tjera jodemokratike dhe diskriminuese, i kanë frymëzuar, organizuar dhe përkrahur hapur grupet që kanë shfaqur shovenizëm të egër dhe frymë raciste kundër shqiptarëve, përmes thirrjeve publike: ,,Vdekje shqiptarëve”, ,,Dhoma gazi për shqiptarët”, ,,Shqiptari i mirë, vetëm shqiptari i vdekur”, atëherë, cili shqiptar guxon ta përkrah një frymë të tillë, e cila hapur angazhohet për akte gjenocidi, terror dhe shfarosje të shqiptarëve në Maqedoni?!

Shqiptarët janë dëshmuar përgjatë historisë se nuk janë pushtues, dhunues, pretendues të territoreve të huaja dhe shkelës të lirisë së popujve të tjerë, sidomos të atyre fqinj, edhe kur i cënohen liritë dhe të drejtat e tij më elementare, i kërcënohet hapur qenia e tij fizike, siç kanë vepruar deri më sot qarqet shoveniste në Maqedoni, të kamufluara ose të përkrahura hapur nga disa parti politike! Atëherë, cila është arsyeja që këto qarqe armiqësore dhe parti politike me frymë antidemokratike dhe antishqiptare të tolerohen, për aq më keq të përkrahen edhe më tej në skenën politike në Maqedoni?

Çështja se, a do të reformohen këto parti politike në të ardhmen, a do të gjejnë forcë t’u kërkojnë falje publike shqiptarëve për këto ofendime, cenim të integritetit, dinjitetit, identitetit dhe qenies së tyre, kjo do të varet nga vetë ato dhe drejtuesit e tyre në të ardhmen.

Kjo nuk nënkupton që, partitë tjera me orientim ,,më të butë”, të reshtuara në koalicion me LSDM-në, do të tolerohen t’i mohojnë e shkelin liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, duke krijuar frymë të re ,,qytetare” mes shqiptarëve dhe të tjerëve, pa ndërmarrë veprime konkrete për njohjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, sidomos të statusit juridik-kushtetues të tyre si popull shtetformues në Maqedoni, sepse ky status nuk i sjell dëm askujt, ndërsa shqiptarët i bën qytetarë të barabartë dhe popull me dinjitet në shtetin e tyre, ku jetojnë bashkë me të tjerët.

Kështu siç janë sot këto parti politike, në koalicionin e udhëhequr nga OBRM-PDUKM, me këtë orientim dhe këtë qasje ndaj shqiptarëve, nuk meritojnë përkrahje, bashkëpunim dhe më së paku vota të shqiptarëve, përveçse nga ata që kanë gjak të prishur, mercenarët, kriminelët dhe tradhtarët, të cilët nuk duhet të harrojnë se gjithçka regjistrohet në shiritin e kohës, në mbamendjen kolektive të shqiptarëve dhe nga historia.

Prandaj, në zgjedhjet vendore të radhës, të gjithë qytetarët e vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm shqiptarë:

– bashkëpunimit me këto parti,

– koalicionit me këto parti,

– ndihmës së ndërsjellë, dhe

– votimit të kandidatëve të tyre,

duhet t’i thonë me vendosmërinë më të madhe, JO!

(2.10.2017)