Kardinali George Pell, i cili akuzohet për raste të shumta ngacmimesh seksuale nga prokurorët e Melburnit në Australi, nuk do të pranojë fajin përpara drejtësisë duke deklaruar edhe njëherë se nuk ka kryer asnjë veprim të gabuar.
Lajmi është përcjellë nga përfaqësuesi ligjor i zyrtarit të tretë më të lartë të Vatikanit. Ky i fundit deklaroi se George Pell është i bindur mbi pretendimet e tij dhe se do të mbajë prezumimin e pafajsisë që garantohet në legjislacion.
Sekretari i Thesarit në Selinë e Shenjtë u paraqit së fundmi në Gjykatën e Melburnit ku u bë seanca e parë dëgjimore.
Gjatë këtij sesioni u vendos që prokurorëve t’u jepet afat deri më datë 8 Shtator për të mbledhur provat mbi cështjen, ndërsa ballafaqimi i rradhës përpara trupës gjykuese do të ndodhë në datë 6 Tetor të këtij viti.
Seanca gjyqsore për Kardinalin George Pell ka krijuar një debat madhor në Vatikan, për faktin se ai është këshilltari kryesor ekonomik i Papa Franceskut si dhe zyrtari më i lartë i Selisë së Shenjtë që akuzohet për ngacmime seksuale.
Vatikani dhe Australia nuk kanë një marrëveshje ekstradimi, por Pell me vullnet të plotë ka pranuar që të udhëtojë drejt Melburnit për t’u përballur me drejtësinë. Ardhja e tij në Gjyaktë u prit me një interes të lartë nga mediat, por Kardinali nuk pranoi që të jepte asnjë koment duke preferuar që për cështjen të prononcohej vetëm avokati i tij.