Shkruan Fejzi Hajdari

Maqedonia e priti këtë ditë e madhe. Mori rekomandim pa kusht për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. U realizua një ëndërr e kamotshme e qytetarëve të Maqedonisë. Një ëndërr e vonuar, jo për fajin e tyre, por për fajin e një regjimi që kishte kapur Maqedoninë. Regjim që na kishte kapur të gjithëve përpara. Regjim që për 10 vite rresht ngulfati perspektivën euroatlantike të vendit.
Mirëpo nuk duhet të ekzaltohemi së tepërmi nga rëndësia e kësaj dite. Kështu ishim ekzaltuar në vitin 2005 kur vendi mori statusin e vendit kandidat. Dhe nga ekzaltimi i tepruar, nuk e vërejtëm instalimin e një klike e cila 10 vite me radhë.

Klikë e cila sa më shumë e kishte gojën plot me integrime euroatlantike, aq më tepër punonte kundër këtyre integrimeve. Klikë që pa ndërpre provokonte Serbinë, duke i dhënë shkas dhe bazë Greqisë për të penguar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE (kjo politikë ndoshta edhe i shkonte në favor Greqisë, e cila nuk dëshironte eurointegrimin e Maqedonisë para partnerit të saj rajonal, Serbisë).
Udhëheqësit e kësaj klike dhe politike, që vonoi për 10 vite procesin integrues të vendit, ishin Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti. për këtë arsye, nëse kanë pikën e ndërgjegjes, ata dy bashkë sot duhet të dalin t’u kërkojnë falje qytetarëve të Maqedonisë për politikën e mbrapshtë që i shkaktoi aq shumë dëme Maqedonisë.

Për këtë arsye, këtë ditë duhet festuar, por duhet edhe reflektuar. Duhet kërkuar përgjegjësi nga fajtorët që na lanë në bisht të procesit integrues.

Këtë përgjegjësi nuk duhet ta kërkojmë për të kënaqur egon tonë, sa duhet ta kërkojmë për hir të perspektivës së vonuar të fëmijëve tanë. Nuk ka aspak dyshim se vonimi i procesit të eurointegrimit të Maqedonisë, është vonim i perspektivës së rinisë së Maqedonisë.

Sepse, nëse nuk i ndëshkojmë fajtorët kryesorë, ngecja 13 vjeçare që ndodhi pas marrjes së statusit të vendit kandidat, mund të na përsëritet sërish.