Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër AIDS, ISHP bën të ditur se që nga fillimi i shfaqjes së kësaj sëmundjeje për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993 e deri më sot numerohen 984 raste. 704 janë meshkuj dhe 280 janë femra. Në raportin vjetor të përpunuar nga ky institucion që TVSH siguroi në rrugë zyrtare, Shqipëria konsiderohet vend me prevalencë të ulët, por karahasuar me vendet e rajonit kemi shifra shumë ta larta të pranisë së infeksionit.
ISHP raporton 102 raste të diagnostikuara rishtazi për vitin 2016, nga Janari në Nëntor, shifër kjo më e lartë se ajo e deklaruar vitin e kaluar për 12 muaj, që ishte 100 raste të reja. Raporti veçon faktin se rruga e transmetimit mbetet ajo në rrugë seksuale ku 83.6 përqind janë marrëdhënie mes heteroseksualëve ndërsa mes 10,9 homoseksualëve. Te këta të fundit diagnoza është kapur në stade të avancuara.
Përsa i përket shpërndarjes sipas gjinisë, raporti evidenton se meshkujt janë kategoria më e prekur me HIV, në vlerat 71,5 përqind ndërsa femrat 28,5 përqind. Por sipas ISHP numri i femrave që testohen është shumë më i ulët.
Gjatë këtij viti u raportuan tre nëna shtatëzëna me virusin HIV, por falë mjekimit, nuk u arrit transmetimi vertikal i sëmundjes tek foshnjat duke mundësuar lindje të shëndetshme. Raporti evidenton 90 të rinj nga mosha 16-24 vjeç që tregon se testimet vullnetare janë një element shumë i rëndësishëm ku duhet të bazohet lufta kundër AIDS.