Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë për gazetën KOHA se takimi i sotëm me përfaqësues të partive politike shqiptare ka qenë joformal dhe i kërkuar pikërisht nga ai dhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. “U takuam sot me të gjithë përfaqësues të partive politike për të mësuar se çfarë po ndodhë dhe cili është pozicioni i partive shqiptare lidhur me kryetarin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë në Maqedoni”, ka thënë Kurti, pas takimit me kreun e LR-PDSH-së, Ziadin Sela.

Në ndërkohë, Konjufca ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe emërimin e kryetarit shqiptar të Parlamentit të Maqedonisë. “Ky takim ishte me kërkesë tonën që të mësojmë drejtpërdrejt nga përfaqësuesit e partive shqiptare se çfarë po ndodhë me situatën politike në Maqedoni. Informacionet janë se zgjidhja do të ishte formimi i shpejtë i kryetarit të Parlamentit e më pas, të formohet Qeveria e re, gjegjësisht të respektohet vullneti i shumicës së krijuar parlamentare me mbështetjen e partive shqiptare. Këtë e kërkuam dhe ne”, është shprehur për KOHA, Konjufca. Ndryshe, dy krerët e lartë të Vetëvendosjes realizuan takim me nënkryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm të Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi dhe Afrim Gashi, me Ziadin Selën e LR-PDSH-së, dhe Talat Xhaferin e BDI-së.