Aleatët i zbulojnë blofin Rusisë, Trump: Misioni u krye!

Presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti ekzekutimin perfekt të sulmeve ajrore ndaj Sirisë, ndërsa shtoi në mesazhin e tij në “Twitter” se misioni u krye.

SHBA, Franca dhe Britania e Madhe bombarduan tre impiante të programit të armëve kimike siriane si raprezalje ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike ndaj qyteti sirian Duma javën e shkuar.

“Faleminderit Francës dhe Britanisë për urtësinë dhe fuqinë e ushtrive të tyre të shkëlqyera. S’mund të kishim pasur rezultatet më të mira. Misioni u krye”, tha Trump.

Ekspertët thonë se mesazhi i Trump duket se i jep fund dyshimeve nëse do të ketë sulme të tjera, të paktën derisa presidenti sirian Bashar al Asad të vendosë të shkelë sërish vijnë e kuqe. Zyrtarë nga Pentagoni lajmëruan se furia e raketave aleate çoi vite pas programin sirian të armëve kimike.

Pavarësisht se forca e sulmit është vënë në diskutim, fitorja politike duket mjaft e qartë. Presidenti rus Vladimir Putin e kritikoi ashpër sulmin perëndimor dhe tha se ishte një akt i pastër agresioni. Por megjithë kërcënimet se do të rrëzonte raketat amerikane, ushtria ruse nuk ngriti as gishtin për të frenuar sulmin dhe çdo raketë e aleatëve goditi objektivin.

Madje, as ushtria siriane, duke parë zbulimin e blofit rus, nuk tentoi të ndalte sulmin e tre fuqive të mëdha, megjithëse televizionet shtetërore në vend thanë se 70 raketa u rrëzuan. Sulmi aleat padyshim që nuk i jep fund luftës së gjatë e të përgjakshme civile në Siri, por të paktën dërgon një mesazh se mbase perëndimi do të angazhohet disi më shumë për këtë qëllim.

SHPËRNDAJE