Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka folur për lajmet se në partinë e tij ka kundërshtime për postin e liderit, dhe për të njëjtat thotë se personalisht nuk ka njoftime të tilla, njofton Portalb.mk.

Ahmeti ka thënë se është i angazhuar për të bërë një BDI më të fortë.

“Unë nuk kam njoftime të tilla, edhe pse do të ishte mirë në qoftë se ka një garë të tillë. Unë jam më tepër i angazhuar për të bërë një BDI shumë më të fortë, për të bërë një strategji për 20 vjetët e ardhshëm se si do të duket Bashkimi Demokratik për Integrim. Ne kemi mbyllur një kapitull historik, gati 20 vjet, ku BDI ka qenë fitues në të gjitha ciklet zgjedhore. Tash jemi në momentin ku po shtrohet për diskutim strategjia për platformën dhe filozofinë e 20 viteve të ardhshme të BDI-së”, tha Ahmeti në intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndryshe, ka katër muaj që qarkullojnë lajmet se në BDI ka përqarje. Sipas kësaj, thuhet se edhe zëvendëskryeministri Hazbi Lika nuk merr pjesë në konferencat qeveritare. Ai nuk ishte i pranishëm as në manifestimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili duhej të organizoheshte nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.