Alide Lloga, 23.07.2017
Na ishte një herë…
Na ishte njëherë një shtet i cili quhej ‘‘Maqedoni’’. Në këtë shtet jetonin shumë popuj të ndryshëm. Në numër më të madh të popullsisë ishin sllavomaqedontë, ndërsa shiptarët vinin “pas tyre” dhe popujt e tjerë me më pak në numër.
Në këtë shtet asnjëherë shqiptarët nuk e patën të drejtën e shtetformimit. Asnjëherë nuk patën liri të shprehjes, të fjalës së lirë, ata patën frikën edhe për t’u mjekuar në këtë shtet, pra kurrë, asnjëherë të lirë për asgjë.
Vitet kalonin e mendimet e tyre vazhdonin të trashnin idetë shpifëse për çfardolloj gjëje. Filluan të mendojnë se ky shtet vërtet është i tyre dhe fatkeqësisht në mënyrë të verbët të besojnë në të.
Sa dhimbje krijohet brenda shpirtit të tyre thatuk, sa e dhimbshme është ta gjesh një kukull e atë ta duash e të bësh çmos me të, në fakt pronari i saj s’duket gjëkundi. Lloj-lloj kukullash’’zbukuruan’’ kryeqytetin, ndërkaq qytetetëve iu mveshën fjalët shpresdhënëse, a fshatrave vetëm hi syve para zgjedhjeve… Kukullat gruevskiane filluan të flasin, por sa herë që ato donin të flisnin çekiçi binte mbi kokë të tyre, ndaj kukullat duhet të rrin ashtu siç janë herë duke i ushqyer ndonjë femijë, siç bëjnë rëndomë fëmijët me lodrat e tyre, herë duke fjet me to e herë duke ngrënë me to, varësisht nga rrjedha e ngjarjeve.
Në këtë shtet vazhdonte së lulëzuari gënjeshtra, mashtrimi, dhuna, padrejtësia, pagjuhësifolësja, krimi e shumë të tjera si këto. E ne në vend numëro. Diku-diku dikush shpërthente për të mos qenë një me to, por për çudi bëhej prush e s’merrte flakë më…
Ndjenat thellë e më thellë preknin përciptazi unin e dikujt, por për çudi ata aty për aty bëheshin hi…
Sa hap e mbyll sytë filloi loja e kukullave me apo pa fëmijët lojtarë paj ç’rëndësi ka…rëndësi ka të krijohet rehati a komoditet i kukullave paraprake. Mjafton që ato të ngopen e të jenë të kënaqura…
Ndërsa fëmijët a lojtarët me kukullat vazhdojnë të kukullojnë në bëlbëzime…sakaq përallës sonë i bashkangjiten edhe shumë struktura tjera partiake a thua fëmijët duhet t’i ushqejnë a të flasin më shumë me kukullat e tyre…? A thua pas zgjidhjes së problemit me zbatimin e gjuhës shqipe duhet të rehatohemi? A thua do të vëllezërohemi? A thua xhaxhi Zaev do të jetë parimor në të gjitha drejtimet dhe me të gjithë? A thua sërish NE do të vazhdojmë të mbetemi superkukullat? A thua superkukullat do të ngopen vetëm me fjalë? A po do të rrezatojnë gjetiu…
Sa shumë do të duan të ishim bukuroshe të fjetura, sa shumë do të duan të mos i zgjojmë luanët brenda vetes…eh, sa shumë fëmijë do ta ëndërronin fundin tejet të lumtur…por…, gjithsesi fëmijët kanë detyrat e tyre, pra le të vazhdojnë kujdesjen ndaj më të preferuarave dhe ndërtimin e fantazive në botën e tyre, por çe do se edhe bota ëndërrimate e tyre përfundon shpejt e do iu duhet të prekin realitetin…
Shpresojmë në të renë, në atë që do të na ishte edhe një herë….!