Ne i kuptojmë tani para zgjedhjeve lokale tendencat për marketing politik te secila parti, mirëpo kjo po zgjat me dekada, ndryshime rrënjësore nuk shohim! Ishin pikërisht këta të LSDM-së që ua bën jetën ferr qytetarëve shqiptarë viteve 90′ , i burgosën, i vranë, i torturuan, dhe falje serioze asnjëherë nuk kanë kërkuar!, thotë për Agjencinë e Lajmeve, aktivisti i disaporës shqiptare në Evropë, Alister Ramadani në lidhje me deklarimet e fundit të deputetëve të LSDM-së, të profesorëve dhe intelektualëve maqedonas dhe mbështetës të politikave të kësaj partie dhe liderit të saj, Zoran Zaev.

Më tej ai shton se përskaj politikave kinse për ndryshim të premtuara nga LSDM-ja dhe të mbështetura nga partitë politike shqiptare janë një vazhdimësi e asaj që ka ndodhur deri më tani.

“Tani, me Zaevin, jepet një imazh kinse se do të ketë ndryshime, por nuk thonë kot se dita shihet nga mëngjesi! Personalisht nuk shoh te kjo qeveri se do të bën ndryshimet që do të kënaqnin kërkesat e shqiptarëve autokton! Për fat të keq, legjitimitetin që ua japin subjektet politike shqiptare njëra pas tjetrës subjekteve politike maqedonase për themelimin e qeverisë, thjesht është për të ardhur keq, sepse shqiptarëve ju lidhen edhe këmbët edhe duart! Kujt t’i ankohen? Të gjithë na e mbyllin gojën duke na thënë se kemi përfaqësueses në qeveri, pa çka se shteti me kushtetutë është shtet unitar!”, thotë Alister Ramadani.

Sa i përket zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, përkundër akademikëve maqedonas, të cilët po trumbetojnë se në Evropë është ndryshe sa u përket gjuhëve zyrtare, Alister Ramadani jep shembullin e Zvicrësë, ku 4 gjuhë janë gjuhë zyrtare dhe të 4 popujt janë bartës të sovranitetit, juridikisht dhe politikisht kjo u sjell harmoninë qytetare dhe respektin e ndërsjellë, por që kjo të arrihet në Maqedoni së pari duhet që të dënohen ata që vazhdimisht po kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët, e deri sa një gjë e tillë nuk po ndodh, nuk duhet të besojmë se dikush do të jetë as zemërgjërë që mbështes akte ligjore të tilla.

“Sinqerisht, ne e dimë se çka do të thotë të jetohet në harmoni mes njerëzve sepse atë e kemi provuar tani më mbi 30 vjet në Zvicër. Mirëpo, këtu 4 gjuhë janë gjuhë zyrtare dhe të 4 popujt janë bartës të sovranitetit, juridikisht dhe politikisht kjo e sjell harmoninë qytetare dhe respektin e ndërsjellë. Në Maqedoni për deri sa nuk dënohen ata që thërrasin publikisht në dhoma gazi për shqiptarët, nuk do të merr guximin askush të ndryshon kushtetutën e Maqedonisë për të vënë baraspeshë kombëtare mes dy popujve më të mëdhenj në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve!”, thotë Ramadani, për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, duke përfunduar prononcimin e tij se kinse për fushatë parazgjedhore, deputetët e LSDM-së, thjesht po tregojnë se çka në të vërtetë po ndjejnë.

“Prandaj, me pretekst se demek është fushatë parazgjedhore, në fakt ata që flasin në stilin e këtij deputeti, e tregojnë atë që e kanë në zemër e jo sa për të bërë publicitet parazgjedhor! Na duhet vetëdijesim kombëtar, e jo subjektet tona të merren me punësimet e militantëve të tyre partiak!”, përfundon aktivisti i diasporësh shqiptare në Evropë, Alister Ramadani.