​Amazon prezantoi ditën e Mërkure rrjetin më të ri social quajtur Spark nëpërmjet të cilit anëtarët mund të prezantojnë dhe blejnë produkte në platformat e saj, një lëvizje e cila përbën hapin e parë të kompanisë në botën e medias sociale.
Spark, i cili është i disponueshëm vetëm për abonentët me pagesë të Amazon Prime, inkurajon përdoruesit të ndajnë foto dhe video, ashtu si në një rrjet social siç Instagram apo Pinterest.

Spark debutoi publikisht në iOS. Përdoruesit e tij mund të etiketojnë produkte në postimet e tyre që janë të disponueshëm në Amazon duke e bërë më të lehtë gjetjen dhe blerjen e tyre në platformë.

Përdoruesit mund tu përgjigjen postimeve me anë të “buzëqeshjeve,” ekuivalenti i “pëlqimeve” në Facebook.

Amazon gjithashtu ftoi të gjithë publikuesit, influencerët dhe blogerët të postojnë në Spark. Postimet e tyre do të identifikohen me hashtage të sponsorizuara.

Shumë përdorues e quajtën rrjetin e ri social një kryqëzim mes Instagram dhe Pinterest por në stilin e-commerce.