Situata në Maqedoni pas refuzimit të presidentit Ivanov për të mandatuar Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së re, ka shqetësuar ambasadorin amerikan në Shkup, Xhes Bejli, i cili i bëri thirrje presidentit Gjorge Ivanov të shqyrtojë edhe një herë vendimin.

Në reagimin e tij Bejli iu bashkua deklaratës së komisionerit të Zgjerimit të BE, Johanes Hahn, i cili kritikoi vendimin e presidentit Ivanov për të mos mandatuar Zoran Zaevit.

Bejli ka theksuar se flet si përfaqësues i partnerëve strategjik të Republikës Maqedonase dhe si miq të cilët e respektojnë plotësisht sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.

Ai gjithashtu i bëri thirrje fqinjëve të Maqedonisë të tregohen të përmbajtur dhe konstruktiv, në këtë moment të ndjeshëm politik.

Ndërkohë, edhe pse vetë presidenti e ka mohuar që çështja shqiptare të jetë motivi i refuzimit, partia e ish kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE i ka premtuar mbështetje socialdemokratëve me kusht heqjen e platformës shqiptare dhe heqjen e dorë nga shantazhet dhe këtu VMRO flet për të ashtuquajtuarat bomba të Zaevit, apo video skandalet e korrupsionit të qeverisë Gruevski.

Kreu i partisë kryesore shqiptare BDI, Ali Ahmeti u shpreh se platforma shqiptare nuk përçan vendin, por vetëm programet zgjedhore të garuesve shqiptarë në Maqedoni.

Ai ftoi të gjitha partitë politike maqedonase që të përmbahen në shprehjen e pakënaqësive, ndërsa qytetarët të ruajnë gjakftohtësinë.