Kancelarja Angela Merkel ka hedhur poshtë paralajmërimin e Turqisë se qytetarët e saj duhet të bëjnë kujdes kur udhëtojnë në Gjermani për shkak të rritjes së ndjenjës anti-turke.

Merkel thotë se “turqit janë të sigurt që të vijnë në Gjermani”.

“Dua të them shumë qartë se të gjithë qytetarët turq mund të udhëtojnë këtu”, tha Merkel në qytetin veriperëndimor gjerman të Delbrueck.

Tensionet midis Berlinit dhe Ankarasë janë rritur muajt e fundit dhe paralajmërimi i Turqisë të shtunën erdhi pasi ministri i jashtëm i Gjermanisë tha të martën që gjermanët që udhëtonin për në Turqi rrezikonin paraburgim.

“Asnjë gazetar nuk arrestohet këtu dhe asnjë gazetar nuk vihet në paraburgim. Liria e mendimit dhe sundimi i ligjit mbizotërojnë këtu dhe jemi krenarë për këtë,” tha Merkel.