Kryetari i Komunës së Gostivarit njëherit edhe sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka reaguar lidhur me amnistinë e miratuar përmes ligjit gjatë seancës së djeshme parlamentare.

“Sikur Ziadin Sela të kishte vdekur nga dhuna e ushtruar, dhunë e cila kishte gjasa të mëdha ta linte pa jetë, natën e terrorit të 27 prillit, sot Qeveria do kishte amnestuar kriminelë-vrasës. Mirëpo fati i Ziadinit që qëlloi jetëgjatë dhe trupi i tij nuk u dorëzua, ndaj Qeveria e pa sot të arsyeshme që t’i amnestojë sulmuesit e tij pasi nuk e vranë fare. Ata ishin nën afekt, fundja fundit si shumica e vrasësve kur bëjnë krime, por ama ja, nuk arritën ta vdisnin, ndaj Qeveria nën emër të ligjit, moralit, demokracisë, lirisë dhe barazisë i fali këta vrasës në tentativë, pasi si e përsëris Ziadin Sela nuk vdiq por mbeti vetëm me pasoja në kokë dhe me trauma për gjithë jetën! Zot na mbro Ti se ky shtet po na vret!”, ka theksuar Arben Taravari.
Sipas tij, turp që sot janë falur terroristë në mes të Ballkanit nga një shtet që aspiron NATO-n dhe BE-në!
“Të mjerët ne!”, ka përfunduar Taravari.