Shkruan XHENUR ISENI

Askush se besoj, as që donin ta dëgjonin e jo më të besonin lajmin e hidhur për ndarjen e Arbën Xhaferit nga jeta, por të gjithë ishin të shokuar dhe mbizotronte heshtja, pikëllimi dhe frika se pas tij, kush mund të udhëhiqte kombin tonë, gjegjësisht shqiptarët e Maqedonisë. Ishin çastet më të vështira për politikën e mbi të gjitha për diplomacinë shqiptare sepse Arbën Xhaferi ishte diplomat i shquar, dhe këtë tezë e vërteton heshtja dhe qetësia që posedonte ky njeri i madh i kombit.

Arbër Xhaferi , një politikan modern shqiptarë, kujtohet sot për shumë gjëra, por sa herë përmendet emri i tij, asociimi i parë është urtësia njerzore dhe thellësia e mendimit gjithëpërfshirës. Arbën Xhaferi ishte si një udhëkryqë që i bashkonte rrugët shqiptare për të rindarë drejtimet e të menduarit mbi të shkuarën, të sotmen e të ardhmen e shqiptarizmës dhe mbase është poashtu i vetmi në mes të shquarve të gjindjes tonë që as që nuk është lëvduar ndonjëherë aq sa e meriton, por as që nuk është gjuajtur ndonjëherë me gurë siç nuk e meriton.

Kryetari i parë i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferi, ishte ndër të parët që në fillet e tranzicionit politik vërejti vështirësitë që u qëndronin përpara shqiptarëve si komb dhe posaçërisht shqiptarëve të Maqedonisë. Elaborimet e tij të qeta, shpeshherë edhe të pakuptuara deri në fund, edhe sot mbeten postulate që mund të përmblidhen në një porosi të vetme : Një shoqëri multientike, siç është ajo e Maqedonisë, mund të qeveriset drejtë dhe në mënyrë të qëndrueshme, vetëm nëse edhe rregullimi shtetëror pasqyron të njejtin karakter të shoqërisë së vet.

Të rrallë kanë qenë ata shqiptarë që kanë përdorur penën për ti dhënë njerëzve të kësaj gjuhe, një horizont të përbashkët politik, shoqërorë e ekonomik, pavarësisht kufijëve gjeorgrafike që i mbajnë të ndarë shqiptarët, siç e ka bërë Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi.

Zhytja në politikë e një intelektuali gjithnjë e bën atë me ca njolla, por Arbëni e dinte masën, nuk ishte pa gabime por edhe nuk pretendonte pagabueshmëri.

Arbën Xhaferit s’do i pëlqente fenomeni i zakonshëm i madhërimit të të vdekurve, ai me modestinë e tij do parapëlqente vazhdimin e rrugëtimit politik duke mos mbyllur sytë para vështirësive politike e shoqërore të cilat ai i anticiponte me saktësi matematikore.

Kam bindjen që gjithkush nga ne, që patëm rastin ta njohim, nga afër ose nga publiku, heshturazi e ndjejmë borxhin që i kemi këtij njeriu, këtij shqiptari, këtij politikani e filozofi. Dhe emri i këtij borxhi mund të përkufizohet në nevojën e devotshmërisë për të gjeneruar zhgjidhje të drejta sado e vështirë të jetë rruga e jetësimit të drejtësisë dhe atë që ka proklamuar Arbën Xhaferi.

Arbën Xhaferi nuk mund të krahasohet gati se me asnjë politikan shqiptar sepse ky person, ky mjeshtër i urtë i diplomacisë shqiptare, me të hyrë në politikë, e ngriti atë në një mjeshtëri të rrallë intelektuale, filozofike e diplomatike si askush tjetër.

Për fund këtë shkrim do e përmbylli me një thënie të ish presidentit italian, Xhorxho Napolitano i cili thotë: Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë gjerman, francez apo amerikan, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por fatkeqësisht këta dy persona i përkasin një populli shumë të vogël të botës.