Shkruan Arianit Xhaferi

Të martën në ora 12:30 në sheshin Iliria në Tetovë protestojnë studentët. Kanë ca kërkesa të cilat duhen formuluar më qartë, më saktë, por që janë plotësisht legjitime dhe të nevojshme. Ca kërkesa të tjera nuk janë gjithaq të kuptueshme apo të nevojshme dhe duhen larguar.
Sidoqoftë, ca gjëra duhen patur parasysh:
1) partitë politike të mbajnë duart sa më larg nga protestat studentore, sot dhe çdoherë;
2) studentët mos kenë frikë të dalin publikisht me kërkesat e tyre plotësimi i të cilave nuk dëmton asnjë palë tjetër;
3) kushdo që ka mundësi dhe dëshirë të ndihmojë këto nisma duhet ta bëjë këtë, por ata duhet të dinë kujt konkretisht t’ja ofrojnë ndihmën dhe këshillat;
4) ka kërkesa që janë të drejta legjitime për të cilat s’duhet negociuar, por njëkohësisht ka disa që duhen shqyrtuar dhe për të cilat duhet kohë, durim dhe shumë punë;
5) rruga në të cilën jeni nisur ju studentë nuk është e shtruar me trëndafila e me mjaltë, ajo do jetë e vështirë dhe përplotë sfida – por DUHET BËRË AJO QË DUHET BËRË;
6) studentët duhet të jenë fuqia e ndryshimit, brenda dhe jashtë universitetit; mos harroni se ishin prindërit tuaj një grusht studentësh në Prishtinë që e dridhën Jugosllavinë;
7) ky mision kërkon energji dhe përkushtim, nuk është sprint por maratonë, prandaj ju studentëmos harxhoni energji kot;
Ka shumë gjëra tjera që duhen thënë, dhe ka shumë persona të gatshëm t’ju ndihmojnë por ata duan të dinë KUJT I NDIHMOJNË.
Unë për vete do jem në shesh, sepse nesër djali im do jetë student dhe nuk dua që ai të jetë në këto rrethana. Unë do jem në shesh sepse doktorët që dalin nga universitetet tona do më trajtojnë nesër mua dhe familjen time.
Ju priftë e mbara nëse e keni qëllimin e pastër. Nëse do tentoni të keqpërdorni këtë mundësi për çfarëdo përfitimesh personale ju do jeni të turpëruar e të përbuzur, dhe do dëmtoni shumë më shumë se veten tuaj.