Arrestimi i Saimir Tahirit, ja çfarë shkruajnë mediat e huaja

Mediat ndërkombëtare kanë shkruar në lidhje me dhënien e masës “arrest shtëpie” për Saimir Tahirin.

Në artikujt e tyre thuhet se ndaj ish-ministrit të Brendshëm, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Asociated Press nënvizon se Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”, por gjykata ka dhënë vetëm “arrest shtëpiak”. Tahiri do të përballet për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe për korrupsion.

Shkrimi i Asociated Press për Saimir Tahirin:

Një ish-ministër i Brendshëm shqiptar është vënë nën masën e sigurisë : “arrest shtëpiak” pasi ai është hetuar për marrjen e rryshfetit dhe përfshirjen e supozuar në një rrjet të trafikut të drogës, tha Zyra e Prokurorisë në Shqipëri.

Prokurorët kishin kërkuar që Tahiri të mbahet në paraburgim, por Denion Ndrenika, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, tha se një gjykatë e vendosi nën arrest shtëpiak.

Saimir Tahiri, 48 vjeç ishte ministër i Brendshëm gjatë viteve 2013-2017 në qeverinë socialiste të Shqipërisë dhe dha dorëheqjen si një ligjvënës një javë më parë. Ai akuzohet për lidhje me një grup kriminal të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të kanabisit.

Disa nga liderët e rrjetit të trafikimit u arrestuan në Itali dhe Shqipëri. Tahiri ka mohuar me forcë lidhjet me grupin. Ai ishte nën hetim për shtatë muaj. Nëse dënohet për akuzat për drogë dhe korrupsion, ai përballet me një dënim me burg maksimal prej 15 vjetësh.

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, tha se prokurorët nuk kanë paraqitur dëshmi të reja që justifikojnë kufizimet në lirinë e klientit të tij. Haxhia tha se do të apelojë vendimin e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, Tiranë.

Kryeministri Edi Rama tha se ai respekton vendimin e gjykatës dhe bëri thirrje për “një proces të pavarur, transparent”. Ambasada e SHBA në Shqipëri përshëndeti arrestimin e Tahirit, duke thënë në një deklaratë se “ky rast i rëndësishëm korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”.

SHPËRNDAJE