Jorge Messi, babai i Leo Messit, ka folur për radion argjentinase “The Red”, rreth shkrimeve të mediave spanjolle për një largim të mundshëm të lojtarit nga Barcelona.

E përditshmja spanjolle, “El Mundo Deportivo” ka raportuar se ekziston një klauzolë në kontratën e Messit, e cila e lejon të largohet në rast se pavarësohet Katalunia nga Spanja.

Jorge nënvizoi angazhimin e Messit në klubin katalanas duke hedhur poshtë të gjitha spekulimet.

“Çdo gjë që flitet nuk është e vërtetë. Messi do të mbetet në klub përderisa luan në nivelet e larta të ligës spanjolle”, tha Jorge.

Në të njëjtën linjë, ai konfirmoi se në rast të pavarësisë së Katalonisë, djali i tij do të luajë për Barcelonën deri sa do të bëjë pjesë në La Liga.

“Nëse Katalonia bëhet e pavarur, Lionel do të qëndrojë për aq kohë sa Barca do të luajë në La Liga”, tha ai.

Në rast largimi, destinacionet më të mundshme për transferimin e Messit mendohet të jenë Manchester City dhe Paris Saint-Germain.