Qeveria e Republikës së Maqedonisë në seancën e djeshme e detyroi Bankën e Maqedonisë për përkrahje dhe Zhvillim të bëjë marrëveshje për kredit me Shoqërinë për Prodhimtari, Tregti dhe Shërbime SHPK Jugohrom dhe t’i japë nga Fondi i veçantë kreditor një shumë prej 92.242.500 denarëve për ndërtimin e stacionit filtrues për mbrojtje nga ndotja, transmeton Portalb.mk.

Me këtë shumë, si thonë nga Qeveria, do të mundësohet që kompania të vazhdojë të punojë dhe të angazhohen punëtorët,

Jugohrom krejtësisht ka ndalur procesin më 2 nëntor të vitit 2016, me çka rreth 800 të punësuar ngelën pa punë. Udhëheqësia e Kombinatit vendosi të zbatojë vendim të Inspektoratit për mjedis jetësor për mbyllje të fabrikës për shkak të mosrespektimit të afatit përfundimtar për ndërtim të stacionit të filtrave, që skadoi më 30 tetor 2016.

Zëvendësi i kryeministrit, përgjegjës për çështje ekonomike, Koço Angjushev në korrik të këtij viti tha se qëndrimi i Qeverisë është i qartë – “Jugohrom” nuk mund të rifillojë me punë nëse nuk i plotëson standardet ekologjike. Ai atëherë shtoi se “Jugohrom” është duke i instaluar filtrat dhe i tërë procesi duhet të përfundojë deri në tetor-nëntor të këtij viti, por nga shkaku i mospasjes së mjeteve procesi vonoi dhe tani me këtë kredit do të mundësohet vendosja e filtrave.