Vetëm pak orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan ka votuar pro idesë së shtimit të sanksionve mbi Rusinë në shenjë kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes së dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, BE është shprehur kundër një lëvizjeve të tillë me argumentin se mund të cënojë interesat e europianëve.
Në një reagim të fundit, Zhan Klod Junker, ka deklaruar se Brukseli dhe vendet e kontinentit të vjetër kanë rënë dakord që Rusia të mbetet nën regjimin e sanksioneve deri në momentin që do t’i japë fund sjelljes agresive, por shtoi se vendimi i njëanshëm i ShBA-së nuk mund të mbështetet nga BE.
Sipas tij, politikat e kësaj natyre duhet të merren përmes koordinimit të të dyja palëve.
“BE është plotësisht e vendosur për regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Ky është një objektiv i përbashkët që ka Bashkimi Europian dhe ShBA. Megjithatë, paketa e Shteteve të Bashkuara mund të prodhojë efekte të njëanshme që dëmtojnë interesat e BE-së në fushën e sigurisë dhe energjisë. Për këtë arsye, Komisioni vendosi sot që nëse kërkesa jonë nuk do të merret parasysh, ne jemi gati që të ndërmarrim hapat e nevojshëm gjatë ditëve në vijim. Amerika e para nuk do të thotë se interesat e Europës do të vijnë të fundit.”
Paketa e cila mori një shumicë dërrmuese votash pro në Dhomën e Përfaqësuesve parashikon penalizimin e cdo kompanie, qoftë ajo ruse apo e huaj, që kontribuon në përmirësimin e teknologjisë energjitike të Rusisë. Nga kjo mund të preken edhe kompanitë gjermane që po punojnë për gaz-sjellësin Nordstream 2 dhe për këtë arsye pakënaqësi është shprehur edhe nga Berlini zyrtar.