Pas vendimit të FIFA-s për të zgjedhuar skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin e vitit 2026, një reagim ka ardhur edhe nga trajneri italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, i cili ka folur për median italiane “Sky Sport”.

Tekniku italo-shqiptar duket se buzëqesh me vendimin që lejon 48 skuadra pjesëmarrëse në Botërorin e vitit 2026 nga 32 siç ka qenë deri më tani.

“Pro apo kundër? Sigurisht që pro, sepse jam me më të vegjlit padyshim. Nëse do të kemi më shumë mundësi për t’u kualifikuar në një Botëror, atëherë veçse mund të buzëqeshim për këtë zgjedhje”, ka thënë De Biasi.

“E kuptoj që mund të interpretohet si një dhuratë bujare në rastet e votuesve të veçantë, por ndërkohë mendoj se është një rast i mirë për të pasur mundësinë e ndryshimit të bazës dhe formatit të këtij aktiviteti. Ndryshimet kanë ndodhur, mjafton të kujtoni Europianin e fundit. Do të jetë një turne me ndryshime. E nëse ndodh edhe më ndonjë Europian të ri, kjo do të ishte një mënyrë për të zgjeruar kufijtë e futbollit dhe për të ulur kostot e pjesëmarrjes së çdo shteti. Euro 2016 na mësoi se realitetet e vogla, si ai shqiptar, apo Uellsi dhe Islanda, mund të garojnë në nivele të larta edhe pa pasur tradita dhe eksperiencë mbi shpatulla”, është shprehur më tej trajneri kuqezi.

Ëndrra e De Biasit, pas pjesëmarrjes në Europianin e Francës, është pikërisht një biletë kualifikuese në Botërorin “Rusi 2018”.

“Sigurisht që duhet të punosh gjithnjë në jetë dhe të vendosësh zemrën përballë çdo pengese e vështirësie. Duhet të shkojmë përtej klisheve dhe zakoneve që thonë shpesh se është e pamundur të bësh disa gjëra. Ndoshta nuk ndodh gjithmonë kështu, por e rëndësishme është të provosh deri në fund dhe mendoj se kjo do t’u japë shpresa edhe federatave të vogla për të vazhduar të punojnë më fort dhe për t’u përmirësuar. Të stërvisësh një ekip të vogël të sjell motivim të madh dhe nuk e ndien peshën e përgjegjësisë që të ngarkon një emër i madh. Në të njëjtën kohë, besoj se jeta nuk të lejon gjithnjë të mendosh, duhet gjithmonë të prodhosh rezultate të reja, ndoshta objektiva të reja dhe të kesh gjithnjë dëshirën për t’u rritur, pa u ndalur dhe duke shijuar vetëm rezultatet pozitive të së kaluarës”.

Sa i përket “Rusi 2018”, Shqipëria gjendet në të njëjtin grup me Italinë, përballja me të cilët do të luhet më 24 mars në Palermo.