Një deputete e Parlamentit britanik është qëlluar për vdekje në rrugë gjatë kësaj të enjteje në Verilindje të Anglisë, duke shkaktuar një shok të paparë anembanë Britanisë dhe pezullimin e fushatës për referendumin e javës së ardhshme mbi anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Jo Cox, 41 vjeç, një ligjvënëse nga Partia opozitare Laburiste dhe një mbështetëse e flaktë e qëndrimit të Britanisë në BE, u sulmua teksa përgatitej të mbante një takim me zgjedhësit në Birstall, pranë qytetit të Leedsit. Mediet britanike bënë të ditur se ajo është qëlluar me armë dhe me thikë.

Policia e “Ëest Yorkshire” bëri të ditur se ka arrestuar agresorin 52-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe arma e zjarrit si dhe arma e ftohtë. Motivet e veprimit të tij mbeten ende mister, por nga sa është raportuar, agresori ka thirrur “Britania duhet të dalë jashtë BE-së” gjatë aktit kriminal.

“E gjithë Partia Laburiste dhe familja e madhe e mbështetësve të saj, por më shumë sesa kaq edhe i gjithë vendi, kanë mbetur të shokuar nga vrasja e tmerrshme dhe e pabesueshme e Jo Cox gjatë ditës së sotme”, tha kreu i laburistëve, Jeremy Corby në një deklaratë me shkrim.

Kryeministri britanik, David Cameron tha se vrasja e Cox, e cila ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë, ndërkohë që kishte punuar edhe për fushatën presidenciale të vitit 2008 të Barack Obamës në Shtetet e Bashkuara, ishte një tragjedi.

“Kemi humbur një yll të madh në rritje”, tha kryeministri konservator në një deklaratë. “Ajo ishte një prej deputeteve më aktive në këtë fushatë dhe kishte një dhembshuri e një zemër të madhe. Ky është një lajm tepër i tmerrshëm”.

Ligjvënësit britanikë nuk mund të mblidhen në Parlament përpara referendumit të 23 qershorit, ku do të vendoset fati i Britanisë nëse do të vijojë qëndrimin në BE apo do të dalë prej saj.

Grupet rivale të fushatës së këtij referendumi bënë të ditur se kanë pezulluar aktivitetet gjatë kësaj dite, ndërsa Cameron anuloi një miting të planifikuar në Gjibraltar, një territor britanik i ndodhur në brigjet jugore të Spanjës.

“Është mëse e qartë se askush nuk është i bindur mbi atë çfarë ndodhi”, tha John Curtice, një profesor i politikave në Universitetin e Strathclyde. “Derisa kjo të bëhet e ditur, e gjithashtu kush është përgjegjësi dhe çfarë motivi ka pasur për këtë krim, gjithçka mund të bëjmë është të pezullojmë fushatën”.

Aktivistët proqëndrimit në BE duket se kanë humbur pikë në sondazhet përpara referendumit, kundrejt atyre që duan largimin nga BE-ja. Rasti i fundit i vdekjes së një ligjvënësi britanik të vrarë në një sulm të ngjashëm ka qenë ai i Ian Goë, i cili humbi jetën pas një bombe të vendosur nën makinën e tij nga “Ushtria e Republikës Irlandeze” (IRA), ngjarje e shënuar në shtëpinë e tij në Jug të Anglisë në vitin 1990