Nëse pini duhan apo alkool çdo ditë, ndoshta do të duhej ta linit çajin që të ftohet para se ta pini.

Pirja e çajit derisa është i nxehtë mund të shtojë rrezikun nga kanceri i ezofagut, ka konstatuar një studim i ri.

Në studimin, e publikuar në revistën Annals of Internal Medicine, theksohet që pirja e çajit të nxehtë dyfishon rrezikun nga kjo sëmundje e rrezikshme, mirëpo vetëm te njerëzit të cilët konsumojnë alkool dhe duhan.

Kanceri i ezofagut është sëmundja e tetë më e shpeshtë në botë dhe shpesh është fatale, brenda një viti vret 400.000 njerëz, thonë rezultatet e Agjencisë Ndërkombëtare të Hulumtimit të Kancerit, transmeton Telegrafi.

Hulumtimi, më i madh i këtij lloji, ka ndjekur afro gjysmë milioni të rriturish në Kinë nëntë vjet e gjysmë.

Pjesëmarrësit të cilët kanë konsumuar çaj në nivel javor janë lutur që të theksojnë a e kanë pirë të ftohur, të ngrohtë apo të nxehtë.

Tek ata të cilët nuk pinë alkool as duhan nuk ka pasur rrezik nga kanceri, ndërsa te të tjerët rreziku është shtuar.