Qeveria e Turqisë dëshiron normalizim të marrëdhenieve të përkeqësuara me Gjermaninë, deklaroi ministri i jashtëm turk, Mevlut Çaushogllu në intervistë për magazinën “Shpigel”.

“Nuk ka bazë për probleme mes Gjermanisë dhe Turqisë. Nëse ju bëni një hap drejt nesh, ne do të bëjmë dy drejt jush”, deklaroi Çaushogllu për gazetën gjermane.

Ai theksoi edhe se Ankaraja është e gatshme për bashkëpunim me liderin e Të Gjelbërve gjermanë, Xhem Ozdemir, i cili nëse partia e tij hynë në Qeverinë e re të Gjermanisë, sipas të gjitha gjasave do të marrë pozitë ministrore, me ç’rast përmednet madje edhe shef i diplomacisë.

Ozdemir është me prejardhje turke dhe konsiderohet si ndër kritikët më të ashpër të presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Por, edhe krahas thirrjes për normalizim të marrëdhënieve me Gjermaninë, Çaushogllu në intervistë qëndroi në mbrojtje të deklaratave të ashpra të Erdoganit, me tëp cilat ai i quajti liderët aktual gjermanë, nazistë.

Javën e kaluar edhe kryeministri turk, Binali Jilldirim bëri thirrje të hapjes “së kapitullit të ri” në raportet mes Turqisë dhe Gjermanisë.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Berlinit u përkeqësuan vitin e fundit pas akuzimeve të autoriteteve gjermane se Erdogani po bën spastrime politike në vend dhe ndalesa për pjesëmarrje të minsitrave turk në tubime në Gjermani për mbështetje të referendumit për ndryshim të Kushtetutës së Turqisë. Në procedurat e këtilla të Berlinit, autoritetet turke u përgjigjën me kërcënime dhe ofendime drejt liderëve gjermanë.

Në Gjermani jetojnë rreth tre milionë persona me prejardhje turke dhe dy vendet gjatë dekadave të fundit patën marrëdhënie tradicionalisht të afërta dhe miqësore