Kryetari i Partisë Liberal Demokratike në Serbi, Cedomir Jovanoviq ka thënë se Beogradi edhe pse jo zyrtarisht, dëshiron ta marrë Veriun në këmbim të njohjes për Kosovën.
Në tryezën me temë “Cila është e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, Jovanoviq tha se Beogradi nuk po mund ta thotë publikisht kërkesën e tij për marrjen e veriut.

Sipas tij kohëve të fundit ka ndryshuar retorika sa i përket dialogut ndërmjet dy vendeve.

“ Shoh se është ndryshuar retorika. Gjendja në të cilën gjendet shoqëria e cila nuk është e aftë të kuptojë realitetin. Është ndryshuar retorika, nuk është problem për kryetarin të thotë që është takuar me Thaçin, nuk besoj në marrëdhënien e bazuar në persona. Ky është kërcenim për Kosovën”.

Jovanoviq akuzoi Beogradin për ndalimin e karateistëve kosovarë që të hyjnë në Serbi.