Partia Demokratike e Kosovës, në orët e vona të së hënës, edhe zyrtarisht ka bërë publike listën për kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Ajo çka bie në sy është që në këtë listë nuk janë përfshirë emra të legjislaturës së kaluar të cilët kishin grumbulluar mijëra vota.

E në mesin e tyre është edhe ish-kryeministri, Agim Çeku.

I pyetur nga “Zeri.info”, se a është marr ky vendim në koordinim me të, Çeku ka thënë se fare nuk është marrë me këtë çështje.

“Unë fare nuk jam marrë me këtë çështje. Jemi pajtuar që kryetari të vendosë, duke e pas parasysh edhe rajonin. S’mundemi të gjithë me qenë deputet. PDK-ja është njëra nga partitë më të mëdha në vend, me njerëz të mëdhenj, prandaj është e vështir që të koordinohemi më të gjithë”, ka thënë Çeku për “Zeri.info”.

Çeku po ashtu ka thënë se e respekton vendimin e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, dhe se sipas tij, ai ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Mendimet janë dhënë në mbledhjen e Kryesisë. Unë e respektoj vendimin e kryetarit, mendoj që e ka bërë zgjedhjen e duhur”, ka thënën Çeku.

Ndryshe, Çeku në zgjedhjet e fundit PDK-së, i kishte sjell 10 mijë e 804 vota.