Me rastin e kërkesës së autoriteteve të Maqedonisë që delegacionit shtetëror të Maqedonisë t’i lejohet kremtimi i përvjetorit të festës më të madhe të Maqedonisë – Ilindenin ta shënojë në manastirin Prohor Pçinjski, në territorin e Serbisë, ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq deklaroi se nuk mund shteti të vendosë për këtë çështje.

“Kjo nuk ka lidhje me shtetin, ai është manastir. Nuk mundet shteti të vendosë për këtë. Ata çdo vit na drejtohen, ne këtë kërkesë e përcjellim deri te kisha, kisha me ata komunikon, ndërsa ju e dini si janë marrëdhëniet në atë pjesë. Këtu nuk ka asnjë dilemë”, tha Daçiq në një konferencë për media.

Duke u përgjigjur në pyetjen për marrëdhëniet me Maqedoninë dhe nëse disa deklarata të tij kanë ndikuar në përkeqësimin e këtyre marrëdhënieve, Daçiq përkujtoi në deklaratën e tij se Serbia e ka njohur Maqedoninë nën emrin kushtetues, ndërsa Maqedonia më vonë e ka njohur Kosovën dhe votoi për pranimin e Kosovës në UNEKSO.

Shefi i diplomacisë serbe theksoi se Serbia ka dëshirë për përmirësimin e marrëdhënieve me Maqedoninë dhe se shumë ka bërë në këtë fushë.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, para dy ditëve, nga Sarajeva, deklaroi se nga autoritetet serbe ende nuk ka arritur përgjigja në kërkesën e autoriteteve të Maqedonisë t’u lejohet festimin e përvjetorit të Ilindenit delegacioni i Maqedonisë ta shënoj në manastirin Prohor Pçinjski, në territorin e Serbisë.