Edhe pse biznesmenët nuk janë të gatshëm për tatimin e ri progresiv që duhet të fillojë vitin e ardhshëm, Drejtoria e të Ardhurave Publike është e gatshme. Drejtoresha e këtij Institucioni Sanja Llukarevska thotë se pasi të miratohet ligji dhe aktet nënligjore, duhet të bëhen korrigjime të caktuara të softuerëve edhe tek obliguesit tatimor. Ajo njoftoi edhe punësime të reja për zbatimin e reformave tatimore.

“Për reformat e reja dhe për të gjitha proceset e mëtejshme, në sektorin e IT-së – po – na mungon kuadër, por presim që do të ketë edhe punësime të reja adekuate, duke kërkuar ndihmën e duhur nga sektori IT-së në Ministrinë e Financave, sepse jemi së bashku në këtë reformë”, deklaroi Sanja Lukarevska, drejtore e DAP.

Ligji për të ardhurat personale, me të cilin aplikohet tatimi progresiv, ka hyrë në procedurë parlamentare dhe me procedurë të shkurtuar pritet të miratohet deri në fund të vitit. Biznesmenët, deri në momentin e fundit, nuk heqin dorë nga qëndrimi i tyre se reforma duhet të shtyhet pasi që do të ketë pasoja të mëdha për biznesin. Kundër tatimit progresiv tashmë janë prononcuar edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Maqedoni, ndërsa kundër janë edhe nga Oda e firmave gjermane që veprojnë në vend.

“Delegacioni i ekonomisë gjermane në Maqedoni nuk e mbështet rritjen e tatimit të të ardhurave personale. Maqedonia si destinacion për investitorët e huaj është kryesisht konkurrues me para-shikueshmërinë, planifikimin afatgjatë dhe sigurinë ligjore”, thonë nga Oda Ekonomike e Gjermanisë në Maqedoni.

Sipas kompanive gjermane, me ligjin e ri vendi largohet nga norma fikse e tatimit të sheshtë, dhe me këtë jo vetëm që rriten shpenzimet për kompanitë, por fillimisht krijohet pasiguri tek biznesmenët e këtyre firmave. Përndryshe, sa i përket mënyrës së re për paraqitjen elektronike vjetore të deklaratës tatimore, Lukarevska informoi se në 20 ditët e ardhshme, deri kur është afati i fundit, edhe 400 mijë tatimpagues tjerë duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike në sistemin DAP-it.