Azam Dauti

Oferta jonë për bashkëpunim OJQ-ve dhe partive politike garuese në Çair,  që identifikohej me Projektin për ndërtimin e Çairit, të pagëzuar “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”,  u është dërguar të gjitha partive politike garuese, përveç lidershipit aktual të VMRO-DPMNE-së.  Me këtë rast, dua të falenderoj publikisht të gjithë ata politikanë nga të gjitha partitë garuese në Çair, duke nisur nga Aleanca për Shqiptarët, BDI, BESA, PDSH dhe disa anëtarë të LSDM-së, që e mbështetnin projektin tonë ndërtimor për Çairin, por që ndikimi i tyre në kryesitë e tyre, e sidomos kundrejt grupeve të caktuara të interesit, nuk pati sukses. Ndërkaq, nuk kam koment për ata që të parët më mbështetën dhe të parët u tërhoqën! Falenderoj Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, që e mbështeti kandidaturën time. Më vjen shumë keq, që familjarë, farefisë, miq dhe afaristë të Çairit dhe Shkupit, i kam dëshpëruar, që përkundër insistimit dhe gatishmërisë së tyre financiare për ta mbuluar fushatën tonë, në çfarëdo forme dhe mënyre, qoftë i pavarur apo pjesërisht, nuk pranova sepse garimi i tillë, do të ishte ndryshe nga ajo që unë e mendoja. Përkundër hidhërimit të tyre, përse nuk pranova të hyj garës krejtësisht i pavarur, unë mendoj, që i kam kursyer edhe ata, por edhe veten, e sidomos elektoratin e Çairit, i cili në këto zgjedhje do të ketë dilema të shumta se për kë të votoj?!  Ndjehem shumë i gëzuar, që personalitete të shquara nga Çairi dhe Shkupi, e  sdiomos njohës të urbanizimit në Çair, projektin tonë ndërtimor “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”,  e shihnin si “një nga” mënyrat apo “më i miri”, për zgjidhjen e problemit të lagjeve substandarde (Serova, Gazi Baba, Duqanxhiku, Teneqe Mahalla, dhe Dizhoni). Ajo, që partitë refuzuan ofertën tonë për bashkëpunim, dhe nxorën kandidatë partiakë, është e drejtë e tyre, të cilën e respektojmë. Kandidatët e shpallur (Visar Ganiu nga BDI, Zeqirija Ibrahimi nga Besa, Faruk Abdiu nga Aleanca dhe Idriz Orana nga PDSH) mund të mos jenë kandidatët më të përshtatshëm, nga ato parti që propozohen në Çair, por në aspektin e realizimit profesional, janë dukshëm më të realizuar se vetë liderët e tyre partiakë. Kjo, do të thotë, që Çairi ka kapacitete kadrovike për përzgejdhje sa të duash, vetëm nevojitet bashkëpunim profesional dhe i sinqertë ndërmjet qyetetarëve të Çairit. Prandaj, kjo është edhe një arsye më shumë, që idenë time ndërtimore “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”,  të vazhdoj ta afirmoj si obcion ndërtimor, për cilindo kryetar të ardhshëm të Komunës së Çairit. Madje, publikisht e them, që kushdo që të fitojë në Çair, edhe në formë zyrtare, do t’i dërgohet si propozim ide qytetare. Kjo, do të thotë, që për ne fare nuk është e rëndësishme, se ky projekt a realizohet me ne, apo me dikë tjetër.

Me këtë, ne do të dëshmojmë, që nuk deshëm të hyjmë në garë për karrierë politike, as për të fituar nam e nishane, por për të ofruar një obcion ndërtimor. Do të jemi të njësoj të lumtur, që këtë ide, ta realizon dikush tjetër. Të gjithë ata miq, që pas publikimit të kandidaturës nga ana e një partie politike, më bindnin, që edhe dy të tjerat nëse nuk më mbështetnin të dal vetëm me njërën ose krejtësisht i pavarur, besoj që do t’u rahatohet zemra, sepse arsyetimi ynë ndaj tyre ishte se “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”,  nuk guxon të mbetet vetëm pikënisje platforme politike, por projekt real për ndërtimin e Çairit. Duke e ditur ambientin se si zhvillohen fushatat tek ne, garimi ynë (por edhe investimi i tyre financiar e moral) pa këto mbështetje politike do të ishte një punë sizifi.  Duke u nisur nga kjo, ne nuk duam që projekti zhvillimor “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri” të nënçmohet dhe harrohet brenda natës. Sipas meje, ky projekt paraqet shpresën për t’u dhënë fund ndërtimeve të “zorit” (që aty për aty, kanë rol pozitiv për qytetarët), e sidomos ato ndërtesa që janë përngjitur me shtëpitë përdhese, të cilat janë të ligjshme, por po krijojnë kaos të ri në Çair. Prandaj, për ta realizuar dhe ruajtur këtë shpresë, dhe për ta ushqyer edhe më shumë karakterin gjithëpërfshirës të këtij projekti, ne në asnjë mënyrë nuk guxonim të hyjmë në zgjedhje lokale për të humbur. Me mosbërje e një aventure të këtillë zgjedhore, ne e mbajmë gjallë projektin ndërtimor “Çairi: Shkupi i Vjetër – Shkupi i Ri”,  dhe shpresojmë që do të mbetet pjesë e diskutimeve “për” dhe “kundër”. Ne vazhdojmë të besojmë që tashmë për qyetarët e Çairit, nuk është patriotizëm as flamuri, as gjuha, as Skenderbeu, sepse të gjitha këto, pak a shumë janë të shijuara, ndërkaq për avancimin e tyre duhet të angazhohen ata që janë në pushtetin qendror, e jo kryetarët e komunave. Komunat, vetëm implementojnë avancimet e këtilla. Prandaj për mua, por edhe për kryetarin e ri të Komunës së Çairit, patriotizmi më i madh do të duhej të jetë rindërtimi i tërësishëm i infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore, e sidomos zgjidhja e përhershme e lagjeve substandarde Gazi Baba, Serava, Duqanxhiku, Dizhoni dhe Teneqe Mahalla. Janë idioteske disa arsyetime të militantëve partiakë, që “këso lagjesh ka gjithkund në botë”, me çka duan ta arsyetojnë kaosin urbanistik që është krijuar në këto lagje!

Për t’u realizuar të gjitha këto, ne menduam që Çairit në këto zgjedhje i duhej një kandidaturë uniteti, që do të krijonte një front unik për interes të qytetarëve ku do të harrohen zënkat dhe ndasitë partiake. Nuk arritëm ta bëjmë këtë! Megjithatë, unë dhe miqtë që e mbështetën këtë projekt, disa hapur, e disa me drojë, vazhdojmë të jemi qytetarë të Çairit dhe natyrisht edhe kontributi ynë do të jetë në kuadër të kësaj Komune. Prandaj, me shumë kënaqësi do të vazhdoj të jap ide dhe mendime se si ta bëjmë Çairin ashtu siç e duan qytetarët e Çairit. Ky është kontributi im në të kaluarën dhe në të ardhmen, është e drejtë e kryetarit të ri, të pranojë, apo të mos pranojë këto ide, që ne mendojmë se e përmirësojnë jetën dhe zhvillimin e qytetarëve të Çairit.