Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të premten do ta vazhdojë seancën në të cilën deputetët debatojnë për përcaktimin e nevojës prej propozimit të Qeverisë për ndryshime kushtetuese për implementimin e Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Vazhdimi i seancës dje pasdite u mbajt pa deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”, pasi ata paraprakisht kumtuan se heqin dorë nga debati, duke e quajtur të pavlerë, si dhe se do të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese. Njëherësh i ftuan deputetët e shumicës në pushtet që të heqin dorë nga ngjarjet dhe të votojnë për propozimin e Qeverisë për ndryshime të Kushtetutës.

Gjatë debatit të pasdites deputetët e LSDM-së të cilët ishin paraqitur për të marrë fjalë, e përsëritën qëndrimin se tani është koha që të gjithë ata që në mënyrë deklarative synojnë NATO-n dhe BE-në të japin mbështetje konkrete për ndryshimet kushtetuese.

Për shumicën parlamentare nuk mund të ketë marrëveshje më të mirë se kjo dhe nëse hidhet poshtë Maqedonisë i kanoset izolim shumëvjeçar dhe ndalim i integrimit në NATO dhe BE.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së edhe më tej janë me qëndrimin se Marrëveshja e Prespës është e dëmshme dhe juridikisht e vdekur, ndërsa gjatë dakordimit të marrëveshjes ka pasur mosrespektim edhe të kryetarit dhe dispozitave ligjore të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Në ndërkohë Qeveria theksoi se do t’i qaset përpilimit të amendamenteve kushtetuese madje pasi të përfundojë me punën në Kuvend me votimin e nevojës për përpilimin e tyre. Qeveria vlerëson se më së miri është ato të përgatiten së bashku me opozitën gjegjësisht të arrihet konsensus nacional.

Këtë e deklaroi dje zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski në konferencë shtypi.

“Është e nevojshme të ndërtohet konsensus nacional pasi siç thotë edhe kryeministri çështja është shumë serioze”, shtoi Boshnjakovski.

Dëshpërim nga nga pozitat e udhëheqësve të VMRO-DPMNE-së pardje përmes një letre shprehu Ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Ues Miçell.

Miçel e porositi Mickoskin se Marrëveshja e Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë është mundësi historike dhe se më e mirë nuk mund të arrihet, pasi ka kërkuar kompromis prej të dyja palëve. I potencon se kjo është mundësi e cila me siguri nuk do të përsëritet me vite, nëse jo edhe me dekada.

Nuk do t’ju befasojë, shton Miçell, që ne jemi të dëshpëruar nga pozitat e anëtarëve të VMRO-DPMNE-së si në lidhje me referendumin, ashtu edhe në lidhje me hapat në Kuvend për ndryshim të Kushtetutës.

“Që nga pavarësia e Maqedonisë, qytetarët nga të gjitha bashkësitë dhe partitë, përfshirë e partinë e Juaj, fuqishëm e mbështesin anëtarësimin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së. Tani Kuvendi e ka radhën që ta ndërmarrin hapin e ardhshëm, vendimtar. Ju inkurajojmë që të krijoni hapësirë, në opinion dhe privatisht, që deputetët nga koalicioni i Juaj të vendosin se si do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, të liruar nga kërcënimet për dhunë, hakmarrje ose lloj tjetër i dhunës. Ky është moment i rëndësishëm historik për vendin e Juaj, moment që kërkon lidership të guximshëm dhe pjekuri. Si miq të vërtetë dhe mbështetës të Maqedonisë, Ju inkurajojmë që t’i lëni mënjanë interesat partiake me qëllim të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike dhe sigurimin e të ardhmes më të ndritur për qytetarët e juaj në familjen evropiane”, qëndron në letrën e ndihmës sekretarit shtetëror të SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Ues Miçell dërguar Mickoskit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së dje përmes letrës iu përgjigj Miçelit, duke theksuar se shpreson se shumë shpejtë Republika e Maqedonisë do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, por “krenare dhe dinjitoze dhe jo e nënçmuar dhe e degrduar”.

Përsëriti se Marrëveshja është e dëmshme për interesat e Maqedonisë dhe si e tillë është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në.

Lidhur me veprimin e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së drejt ndryshimeve kushtetuese, Mickoski, shton se ato janë rezultat i qëndrimit të ndërtuar paraprak.

Në ndërkohë ndodhën ndryshime edhe në skenën politike greke, pasi dje dorëheqje dha shefi i diplomacisë, Nikos Koxias, ndërsa kryeministri Aleksis Cipras pas pranimit të dorëheqjes doli me inkurajim për Maqedoninë për përfundimin e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës.

Cipras e pranoi dorëheqjen e Koxiasit dhe efalënderoi për kontributin e tij në Qeveri dhe për vendin në tre vitet e kaluara dhe theksoi se do ta ndërmarrë drejtimin e MPJ-së greke “që të ndihmojë me të gjitha forcat për përfundimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Prespës”.

“Dëshiroj t’i inkurajoj fqinjët që të vazhdojnë me proceset, me guxim dhe vendosmëri ta bëjnë hapin vendimtar në përfundimin e detyrimeve, të cilat dalin nga Marrëveshja historike e Prespës, sepse nuk do të ekzistojë mundësi tjetër”, tha ai në deklaratë pasi e pranoi dorëheqjen e shefit të diplomacisë greke, Nikos Koxias.

Aleksis Cipras sqaroi se me dhimbje e kishte pranuar dorëheqjen e Koxiasit, theksoi se ky vendim, por edhe vendimi që ai vetë ta marrë në duar Ministrinë e Punëve të Jashtme në periudhën e ardhshme është vendim me më shumë porosi, si jashtë vendit, ashtu edhe brenda vendit, por edhe për qeverinë e tij, se nuk do të tolerojë “kurrfarë strategjie personale në linjën kombëtare të vendit” dhe në të njëjtën kohë nuk do të tolerojë që askush, me vetëdije ose pa vetëdije, ta rrezikojë vazhdën e daljes së vendit nga kriza.

Para se zyrtarisht të kumtohet dorëheqja e Koxiasit, mediat greke publikuan se ai është kanosur të japë dorëheqje për shkak se nuk ka marrë mbështetje të mjaftueshme prej kryeministrit grek pas debatit me Panos Kamenos gjatë seancës qeveritare që u zhvillua pardje.