Komuna e Kërçovës zhvilloi debatin e zakonshëm me përfaqsuesit e BL-ve lokale dhe sektorit civil për propozim buxhetin e vitit 2019 i cili sipas planifikimit kap shumën 13 milion e 640 mijë euro, të cilat do të harxhohen për investime kapitale në përmirësimin e jetës së popullatës vendore.

Viti që lejmë pas ka qenë një vit i sukseshëm për komunën e Kërçovës, sepse gjatë kësaj periudhe janë realizuar projekte kapitale për popullatën vendore, potencoi kreu i komunës Fatmir Dehari, në fillim të debatit për buxhetin e viti 2019, i cili sipas tij, edhe sivjet organizohet në funksion të llogaridhënies dhe transparencës ndaj qytetarëve, të cilëve me këtë rast ju mundësohet që të shtrojnë kërkesat e tyre dhe drejtëpërsëdrejti të marrin pjesë në planifikimin e strukturës buxhetore për vitin e ardhshëm.

Në këtë debat për strategjinë buxhetore të komunës së Kërçovës, përfaqsuesit e Bashkësive Lokale dhe ato të sektorit civil, prezentuan idetë e tyre për projektet prioritare që duhet të përfshihen në buxhetin e komunës për vitin 2019, si investime që do të përmirësojnë jetën e banorëve të komunës së Kërçovës.

Në propozim buxhetin për vitin 2019, do të përfshihen edhe kërkesat e qytetarëve që u parashtruan gjatë këtij debati dhe me këto plotësime ai, do të miratohet në seancën e Këshillit të komunës që do të mbahet javën që vjen.

Buxheti i planifikuar për vitin që vjen është 13 milion 640 mijë euro dhe ai do të shpenzohet për investime në projekte të ndryshme infrastrukturore me ndikim në sferën ekologjike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe sportive.