Edhe pse Gjykata Penale e dënoi me dy vjet burg për korrupsion në rastin “Tanku”, ish -kryeministrin Nikolla Gruevski e shpëtoi nga prangat imuniteti i deputetit.

Kodi penal në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë parashikon se: “Deputeti nuk mund të dërgohet në paraburgim pa miratimin e Kuvendit, vetëm në qoftë se kapet gjatë kryerjes së ndonjë vepre penale për të cilën parashikohet burg prej të paktën pesë vitesh”.

Në një reagim në Facebook pak orë pas marrjes së dënimit, ai i bëri thirrje mbështetësve të tij “të mbajnë kokën lart, sepse Maqedonia është vendi i qytetarëve.”

VMRO-DPMNE , me anë të një reagimi për media dënoi vendimin e gjykatës, duke e quajtur atë politik, ndërsa deputetët e VMRO, në shenjë proteste braktisën seancën në Kuvend.

Dosja hetimore e quajtur “Tanku” lidhet me blerjen e Mercedes-it luksoz me vlerë 600 mijë euro për llogari të ish-kryeministrit Gruevski.

Dje për të njëjtin rast u dënua me 6 vite e 6 muaj burg, edhe ish-zv/ministri i punëve të brendshme në atë kohë, Gjoko Popovski ndërsa më 28 maj pritet vendimi për ish-ministren e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.