Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë para pak çastesh me 80 vota “pro” miratuan propozimin e qeverisë për hapje të Kushtetutës dhe për ndryshim të saj.

Seanca e sotme e cila në fillim u planifikua të fillojë në orën 12:00, nisi rreth orës 22:30 ndërsa, propozimi i qeverisë u mbështet edhe nga disa deputetë të partisë opozitare maqedonase, percjell Fakte.

Emilija Aleksandrova, Ljuben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Nolla Ismaillovska, Elizabeta Kançeska-Milevska, Krsto Mukoski dhe Zekir Ramçilloviq, janë deputetët e opozitës që miratuan nevojën për ndryshime kushtetuese.

Tre nga këta deputetë ishin të arrestuar për veprën penale “terrorizëm ndaj rendit kushtetues” për dhunën në Kuvend. Të njejtit u lëshuan nga arresti gjatë ditës së djeshme dhe të sotshme, që të mund të votojnë.

Pas kërkesës së koordinatorit të VMRO-së, Dragan Danev, në Kuvend u bë votim publik me lexim të emrave, ndërsa u zbuluan deputetët që kanë votuar pro./Telegrafi/