Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku do të qëndrojnë deri në ardhjen e komisarit evropian, Johannes Hahn.

Kryetari i kësaj Liste, Goran Rakiq, ka njoftuar se pas takimit të jashtëzakonshëm të të ashtuquajturit shtab i krizës në Mitrovicë, deputetët serbë kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Momentalisht jemi duke u kthyer nga takimi i shtabit të krizave dhe dëshiroj të ju njoftoj se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në Kuvend në Prishtinë ku do të qëndrojnë deri në ardhjen e Hahnit të cilin do ta njoftojmë me hapat anti-serbë që çojnë kah katastrofa humanitare”, ka thënë Rakiqi, raporton televizioni publik serb.

Sipas fjalëve të tij, deputetët serbë “do të luftojnë me mjete demokratike” që, siç tha ai, “fëmijët tanë të kenë të drejtë në ushqim e jetë normale”, transmeton Koha.net.

Rakiqi tha se “i tërë populli është përkrah deputetëve serbë” dhe se i mbështesin në këtë betejë.

“Do të provojmë të jemi në linjë me përfaqësuesit tanë të cilët nuk do të dalin nga objekti i Kuvendit derisa nuk takohen me Hahnin”, tha kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Kujtojmë se komisari evropian për Dialog dhe Zgjerim, Johannes Hahn, do të qëndrojë në Kosovë të hënën ku pritet të takohet me zyrtarët shtetërorë për të diskutuar për taksën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës