Deri ditën e mërkurë qytetarët do të njoftohen se sa do të jetë kostoja e fushatës së referendumit për çështjen e emrit. Në seancën e radhës qeveritare, e cila sipas paralajmërimeve do të mbahet të mërkurën, zyrtarisht do të caktohet shuma e cila do të ndahet për fushatën zgjedhore, njofton Portalb.mk.

Qeveria në seancën e fundit i ka obliguar ministritë dhe organet e udhëqesisë së shtetit që deri te Ministria e Financave të dorëzojnë informata për mjetet të cilat i kanë në dispozicion, dhe të cilat do të mund të destinohen për fushatën e referendumit.

Nga Ministria e Mbrojtjes, tanimë kanë dalë me informatë se do të ndajnë rreth 1 milion euro.

“Kuptohet se Ministria e Mbrojtjes është njëra prej atyre që më shumë duhet të jetë e interesuar për prioritetin tonë strategjik. Nga sektori jonë për financa, dërguam informacionin se në dispozicion vendosim diku më pak se 60 milion denarë të cilat kanë qenë të planifikuara për aktivitete të ngjashme megjithatë mendojmë se është më mirë t’i shfrytëzojë Kuvendi se sa ne individualisht”, deklaroi Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes.

Ministritë tjera deri më tani publikisht nuk anë dalë me informata se sa para do të ndajnë për referendumin.

Vendimi për fushatën e referendumit u miratua në seancën e fundit qeveritare. Nga Qeveria deklaruan se fushata do të jetë informative me qëllim që të ndahen informata të karakterit publik rreth përmbajtjes së Marrëveshjes me Greqinë, përfitimet nga integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE dhe planit sipas së cilit vendi do të lëvizë drejt Aleancës dhe Unionit.