Në Gjykatën Penale vazhdoi dëgjimin e dëshmitarëve për rastin e PSP-së “Dhuna në Qendër”.

Ish këshilltari i LSDM-së në komunën qendër Igor Allaxhajkov para trupit gjykues përmendi gjitha fjalët fyese dhe sharjet që ia kanë drejtuar demonstruesit  gjatë protestave të  7 dhe 10 korrikut të  2013-ës. Njëherit ai dëshmoi se godina e komunës ka qenë cak i goditjes me gurë disa ditë me rradhë.

Në ndërkohë ish këshilltari tjetër i LSDM-së Gjosho Vangellov tha se gjatë ushtrimit të dhunës së demonstruesve, policët nuk kanë ndërmarrë masa për të parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur këshilltarët komunës të cilat ishin në shenjestër të demonstruesve agresiv.

Vangellov njehrit në gjykatë njohu tre prej të akuzuarve në këtë rast Mitko Pecov-in, Aleksandar Trajkovski-in  dhe Darko Stojçevski-in, dhe tha se gjatë gjithë kohës së ushtrimit të dhunës këshilltarja e atëherëshme e VMRO-DPMNE-së Daniella Rangellova në vazhdimësi e ka provokuar ish kryetarin e komunës Andrej Zhernovski që të del jashtë para demonstruesve.

Të dy dëshmitarët fajësuan ish këshilltarët e VMRO-DPMNE-së për inskenimin e këtyre protestave, pasi që thanë se i kanë parë duke u përshendetur me një pjesë e madhe e demonstruesve.

Në rastin “Dhuna në Qendër” akuzohen 14 persona në mesin e të cilave është ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit dhe Lidhje Mile Janakievski  si dhe ish këshilltarja dhe deputetja aktuale e VMRO-së Daniella Rangellova. Dy prej të akuzuarëve më herët e pranuan fajin.