Dielli, mik apo armik?!

Dielli i pranverës dhe më tej është dëmtuesi kryesor i lëkurës, ndaj edhe këshillat e mjekëve janë më të shumta në këtë periudhë. Për të pasur një lëkurë sa më të pastër, pa njolla kafe dhe për tu mbrojtur ndaj rrezeve të dëmshme që shkaktojnë kancer të lëkurës mjekët dermatologë rekomandojnë një kujdes të veçantë në këtë muaj

Lëkura
Alarmi i diellit pranveror bie pikërisht për personat që kanë lëkurë ngjyrë të çelët, sy ngjyrë të hapur, pra janë persona më të predispozuar për të zhvilluar kancer lëkure si dhe për personat që kanë predispozitë të shfaqin njolla kafe në lëkurë. Është pikërisht dielli ai që akuzohet si faktori kryesor i plakjes së lëkurës, shkaktari i njollave në lëkurë (melasma) dhe i kancerit të lëkurës. Ndaj mjekët dermatologë rekomandojnë me urgjencë të përdoren kremra me filtra mbrojtës (spf), sa më të lartë. Në të kundërt do të jetë tepër vonë për të hequr njollat kafe, për të përmirësuar dëmet e rrereve në lëkurë dhe mundësitë për shfaqjen e kancerit janë më të mëdha. Shumica e femrave, veçanërisht në vendin tonë, si një vend mesdhetar me diell, përballen çdo vit me stresin dhe dëshirën për të eleminuar njollat e errëta në lëkurë, njolla këto të përkeqësuara ndjeshëm ose të formuara si shkak i rrezeve të pranverës e më tej. Njollat në lëkurë mund të kenë edhe disa faktorë predispozues si: ndryshimet hormonale, shtatëzania, kontraceptivët oralë ose disa medikamente të tjera të marra në rrugë orale dhe duke mos u mbrojtur nga rrezet e diellit. Sigurisht predispozita familjare (gjenetike) luan rol në zhvillimin e kancerit të lëkurës dhe të njollave në lëkurë.

 

Dielli

Ekspozimi në rrezet e forta diellore në periudhën mars-prill-maj mund të bëhet shkak për shfaqjen e një sërë problemesh të lëkurës, të cilat mund të marrin përmasa të vështira nëse nuk trajtohen në kohën e duhur. Një nga problemet kryesore të kësaj periudhe është shfaqja e njollave kafe në fytyrë dhe zonat e ekspozuara, të cilat mbeten të pariparueshme për gjithë periudhën e vitit,  dëmtimi i fibrave të kolagjenit e elastinës në lëkurë dhe plakja e lëkurës, si dhe dëmtimet që çojnë në zhvillimin e kancerit të lëkurës. Në këtë periudhë të vitit dhe në vazhdim gjatë verës, është i domosdoshëm përdorimi i kremrave me filtra mbrojtës, të cilët duhet të kenë një faktor mbrojtje ndaj diellit  (spf) të lartë. Personat më të rrezikuar ndaj kancerit të lëkurës, që kanë predispozitë familjare për të zhvilluar kancer lëkure ose për të shfaqur njolla (melasma) në lëkurë, sigurisht që u rekomandohet të përdorin produkte mbrojtëse (kremra, emulsione) me faktor mbrojtës shumë të lartë (spf 50, 50+).

Kremrat, emulsionet mbrojtës

Përdorimi i kremrave ose produkteve  të ndryshme është mirë të merren me këshillën e mjekut specialist. Kjo për vetë faktin se rekomandohen ato produkte që janë të përshtatshme me llojin e lëkurës. Ndërkohë që përdorimi i tyre këshillohet të bëhet çdo 2-3 orë për ata që janë për shumë orë nën efektin e rrezeve të diellit. Është shumë e rëndësishme që aplikimi i produktit që do të realizojë mbrojtjen, të vendoset në lëkurë 10 minuta para ekspozimit në diell. Ndërsa pas çdo larjeje është e nevojshme që të aplikohet sërish kremi mbrojtës në mënyrë që të shmangen efektet negative. Sot janë prodhuar nga kompanitë farmaceutike jo vetëm kremra e emulsione mbrojtës, por dhe shumë produkte të tjerë si fondatin që përdoren nga femrat dhe që kanë faktor mbrojtës ndaj diellit spf 15, spf 30 ose pudra kompakte spf 50 dhe kjo e fundit me qëllim që të riaplikohet gjatë ditës tek personat më të rrezikuar.

Dielli dhe ushqimi, ndikimi në lëkurë

Ekspozimi në diell për një kohë të gjatë, ose nga viti në vit, çon në dëmtim dhe shkatërrim të kolagjenit dhe elastikës së lëkurës, çka ndryshon pamjen e saj, duke e paraqitur atë shumë më të plakur. Ekspozimi në diell është padyshim shkaktari numër një i dëmtimeve si, rrudha, dëmtim të enëve të gjakut të lëkurës, trashje të saj, njolla të errëta në lëkurë. Procesi i dëmtimit quhet në mjekësi si fotoplakje, pra plakje nga ekspozimi. E rëndësishme dhe domosdoshmëri është mbrojtja e lëkurës nëpërmjet aplikimit të kremrave me faktor mbrojtës ndaj diellit, SPF. Domosdoshmërisht edhe gjatë periudhës së dimrit duhet të përdoren kremra hidratues me faktor mbrojtës të ndryshëm, zakonisht SPF15. Ata persona që ekspozohen shumë edhe në dimër ose që kanë tendencë për njolla mund të përdoret faktor mbrojtës më i lartë. Këshillë e rëndësishme është edhe cilësia e ushqyerjes. Këshillohet konsumimi i karotave, frutave e zarzavateve dhe eliminimi i karbohidrateve. Pikërisht frutat dhe zarzavatet përmbajnë antioksidantë të shumë dhe ndikojnë në cilësinë e qelizave të lëkurës. Lëkura është organi i trupit që pasqyron dhe vuan më shumë nga dehidrimi që sigurisht është më i rritur në verë. Për një lëkurë të shëndetshme, rekomandohet të pihet minimalisht 2 litra ujë në ditë, çka do të realizojë jo vetëm hidratimin e lëkurës, por dhe eliminimin e lëndëve dhe substancave toksike të organizmit.